Lajme

111 afganët e parë do të strehohen në ish-kampin e Bechtel Enka-s


Pas arritjes së grupit të parë të shtetasve afganë në Kosovë, të cilët janë 111 persona, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, ata priten të strehohen në ish kampin e Bechtel Enka-s në Ferizaj.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tregoi në një konferencë për media se “numri i shtetasve që erdhën sonte në Kosovë është 111, prej tyre ju patë një numër të madh gra, fëmijë dhe pleq, të cilët janë familjarë të bashkëpunëtorëve të NATO-s në Afganistan. Këta do të vendosen në ish-kampin e Bechtel Enka-s, dhe do të jenë vetëm grupi i parë i shtetasve afganë të cilët ne do t’i strehojmë”.

“Fluturimet e ardhshme priten të ndodhin qysh neser, tashmë kemi konfirmimet e radhës për aterrimet e ardhshme. Është çështje e aleatëve tanë për sa i takon fluturimeve apo nisjeve të avioneve të tyre për në Kosove”, tha ndër të tjera Sveçla.

Sveçla tha se ky është strehim afatshkurtët derisa “aleatët tanë ShBA-ja të procedojnë dokumentet e tyre”, dhe sa i përket numrin të refugjatëve që pritin të arrijnë në Kosovë tha se ende s’është përcaktuar saktë, por “se nuk do të jetë një numër i madh i cili do të jetë i papërballueshëm për ne”.

Ministri Sveçla gjithashtu tregoi se janë duke u bërë testet për COVID-19 refugjatëve afganë në terminalin e vjetër të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore