Lajme

Kosnett falënderon Kosovën për gatishmërinë për të strehuar afganët


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka falënderuar përzemërsisht qeverinë dhe popullin e Kosovës në emër të SHBA-së për gatishmërinë për të ofruar strehë refugjatëve afganë.

Sipas Kosnett, Kosova me këtë akt ka treguar lidership në skenën globale.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara, falënderoj përzemërsisht qeverinë dhe popullin e Kosovës për gatishmërinë tuaj për t’u ofruar strehë partnerëve tanë afganë në udhëtimin e tyre drejt një jete të re. Edhe një herë, Kosova demonstron lidership në skenën globale”, ka shkruar Kosnett në llogarinë e tij në Twitter.

Gjatë ditës së diel, Zyra për Media e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kishte pohuar se është duke diskutuar me Qeverinë e Kosovës lidhur me strehimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

Këtë kërkesë të amerikanëve kishte konfirmuar edhe Luan Dalipi, shef i stafit të Kryeministrit të Kosovës, duke thënë se Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me autoritet amerikane për të strehuar afganët që kanë punuar me forcat amerikane.

Pro strehimit të Afganëve në Kosovë ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmanim ku sipas saj vendimi i një operacioni të tillë humanitar është dhënë mbi parimin njerëzor se “nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat e tyre për t’i ikur përndjekjeve dhe për të shpëtuar jetë”.

Gjatë ditës, së marte edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për strehimin e afganëve në Kosovë duke shprehur keqardhje dhe pikëllim me pamjet nga kryeqyteti afgan.

Ai, gjithashtu ka treguar se qeveria e Kosovës ka një muaj që është në kontakt dhe bashkëpunim të rregull me SHBA-të për tu përgatitur në aspektin organizativ, logjistik por edhe të sigurisë sociale për strehimin dhe mbrojtjen e një numri të refugjatëve nga Afganistani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore