Kosova

Konjufca e padit Kuçin për “shpifje”


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka paditur zëdhënësen e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi për “shpifje”.

Lajmin e ka konfirmuar për avokatja, Arbnora Pireva Dervisholli.

“E konfirmojmë deponimin e padisë për shpifje në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Natyra Kuçit, sa i përket deklarimit të saj se si aktivistët e LVV pasurohen kaq shpejt e me saktë Glauk Konjufca. Dëmshpërblimi i kësaj padie do të shkojë si donacion bamirësie”, ka thënë ajo për mediat në Prishtinë.

Kuçi, kishte deklaruar se Konjufca ishte pasuruar shumë shpejt dhe se kishte në pronësi “gjashtë banesa”, kurse babai i tij “tri banesa”.

“Askush s’ka pritur që Glauk Konjufca, do t’i bëjë gjashtë shtëpija e babai i tij tri dhe ne s’do të themi asgjë. Gjashtë banesa Glauku, ndërsa tri baba i vet me vlerësimin e fundit që është bërë”, kishte thënë Kuçi.

Albanian Post, ka kontaktuar edhe Kuçin lidhur me padinë që është ushtruar ndaj saj, por që deri në publikimin e këtij teksti s’ka pranuar përgjigje.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, para një muaji kishte publikuar pasurinë e kryetarit Konjufca.

Sipas të dhënave të APK-së, Konjufca ka një banesë të tij në vlerë rreth 61 mijë euro, banesën e prindërve në vlerë 44 mijë euro, banesë tjetër të prindërve në vlerë 92 mijë euro, shtëpinë e prindërve 45 mijë euro.

Po ashtu, kishte listuar tri toka në pronësi të prindërve që bashkë kushtojnë mbi 60 mijë euro, një parking 6 mijë euro dhe një depo 500 euro. K

Konjufca te pasuritë e luajtshme e kishte përmendur veturën e bashkëshortes në vlerë tre mijë euro.

Ai ka deklaruar 3 mijë e 510 euro si kursime nga të ardhurat personale dhe 5 mijë e 594 euro si shumë e akumuluar nga pagat e marra.

Ai ka bërë të ditur se ka një kredi për blerjen e banesës – 61 mijë e 424 euro, ku vlerë e mbetur janë 33 mijë e 607 euro. Ndryshe, Konjufca merr pagë vjetore 27 mijë e 555 euro, derisa 3 mijë e 589 euro ka deklaruar se i merr në formë të mëditjeve për udhëtime zyrtare jashtë vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore