Kosova

Të enjten Kuvendi vendos për të themeluar ose jo Komision për hajnitë e Liburn Aliut e Naser Hafizit me ambalazhuesit e ujit


Foto: Albanian Post.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të diskutojnë dhe votojnë të enjten për ta themeluar, ose jo,  Komisionin Hetimor për procesin e përllogaritjes së borxheve të kompanive të ambalazhuesve të ujit – skandal që u publikua nga Albanian Post dhe ku përmes dokumenteve të siguruara dëshmohet se si ministri i Mjedisit, Liburn Aliu, së bashku me vartësin e tij Naser Hafizin, ua kishte zvogëluar ose falur krejtësisht borxhin këtyre kompanive.

Lajmin e ka bërë të ditur shefi i grupit parlamentar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, gjatë një bisede për Albanian Post.

“Komisioni është iniciuar para disa muajve, por sot i ka ardhur koha që të hyjë në rend dite për shkak që nuk janë mbajtur seancat. Tash, ka hy në rend dite për të enjten që të diskutohet në seancë për themelimin e tij”, ka thënë Tahiri për AP.

Raportimi i Albanian Post

Në një procedurë të sofistikuar mashtrimi, Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Naser Hafizin zëvendësues i Drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, i kanë shkaktuar Kosovës dhjetëra miliona euro dëme duke ua shlyer borxhin në forma të kundërligjshme kompanive që merren me ambalazhimin e ujit në Kosovë.

Vetëm në pjesën e dosjes që e ka zbërthyer Albanian Post, në rastin e vetëm 5 kompanive të ambalazhuesve të ujit (nga 27 sa janë në total) bëhet fjalë për zhvatjen dhe keqpërdorimin e 11 milionë e 152 mijë e 144 eurove të shtetit të Kosovës.

Gjithë këtë borxh, Aliu, përmes vartësit të tij Hafizit, të cilin po sa ishte bërë ministër e kishte kaluar kundërligjshëm nga pozita e Zyrtarit për Financa në atë të Zëvendësuesit të Udhëheqësit të Divizionit për Pagesa dhe Projekte e përfundimisht si Ushtrues Detyre i Drejtorit të Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, ua ka shlyer këtyre kompanive me vetëm disa mijëra euro pagesa.

Albanian Post ka publikuar të gjitha dokumentet për të gjitha mashtrimet e Aliut dhe Hafizit.

Ekskluzive: Hajnia multi-milionëshe e Liburn Aliut dhe Naser Hafizit

Ekskluzive: Liburn Aliu e Naser Hafizi ia shlyen kompanisë “Fluidi” borxhin prej 3.5 milionëve për vetëm 13 mijë euro

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore