Kosova

Konjufca s’pret të dalë “diçka” nga takimi Kurti-Vuçiç: Asociacioni – njëherë për njëherë – s’është në rend dite


Glauk Konjufca

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, derisa ka komentuar zhvillimet e fundit në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht rreth takimit të shumëpritur midis kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç, më 26 qershor, u shpreh pesimist se mund të dalë “diçka” nga takimi.

Në një përgjigje për Radio Televiozionin 21 (RTV21) të hënën, kryekuvendari kosovar ka shtuar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe “nuk është në rend dite” për Kosovën: “Nuk pres diçka të rëndësishme, nuk pres nga Serbia që ta zbatojë marrëveshjen bazike – kurrëfarë asociacioni nuk është në rend dite për Republikën e Kosovës, njëherë për njëherë”.

Kosova dhe Serbia supozohet se arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimin e marrëdhënieve në fillim të vitit të kaluar. Por, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme, ata nuk kanë arritur t’i bindin palët që ta zbatojnë të njëjtën.

Për këtë arsye, por edhe për shkak të potencialit shpërthyes të tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, pas më shumë se 10 muaj pa takim të nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb pritet të takohen të mërkurën në Bruksel të Belgjikësh për t’i vazhduar negociatat e vështira nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE).

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore