Lajme

Konfirmohet vendimi – “Kasapi i Bosnjës” dënohet me burgim të përjetshëm


Ish-komandanti serb i Bosnjes, Ratko Mlladiç, është dënuar me burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër popullatës jo serbe në luftën e Bosnjës.

Ai ka humbur apelin e bërë kundër dënimit të vitit 2017 për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykata ka mbajtur vendimin me burgim të përjetshëm për rolin e tij në vrasjen e rreth tetë mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë në vitin 1995.

Masakra në enklavën që supozohej të ishte nën proteksionin e OKB-së ishte mizoria më e madhe në Evropë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, shkruan BBC.

Ende nuk dihet se ku do ta mbajë pjesën e mbetur të dënimit Mladiç.

Paneli me pesë persona i apelit gjeti se Mladiç kishte dështuar të ofronte prova të mjaftueshme për të ç’ verifikuar dënimin e mëparshëm kundër tij.

Kryetari i trupit gjykues tha se largimi i civilëve nga Srebrenica ishte i paligjshëm dhe se dhoma gjyqësore nuk ka marrë parasysh prova të tilla si “policia serbe e Bosnjës që nuk ishte nën komandën e tij”.

Gjyqi i tij ka filluar para gjykatës së krimeve të luftës në Hagë në 2012. Ajo e dënoi atë me burgim të përjetshëm në nëntor të 2017-ës.

Mlladiç është shpallur fajtor për gjenocidin e boshnjakëve në Srebrenicë në 1995-ën.

Ai akuzohet për përndjekjen e boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën, duke terrorizuar popullsinë e Sarajevës gjatë rrethimit të qytetit dhe duke marrë peng paqeruajtësit e OKB-së.

Mbrojtja apeloi vendimin në gusht të këtij viti, duke kërkuar një pafajësi për të gjitha pikat, një rigjykim ose një dënim të reduktuar për Mlladiç.

Prokuroria gjithashtu ka bërë thirrje që Mlladiç të shpallet fajtor për gjenocid në pesë komuna të tjera në 1992.

Lindur në 1942, Mlladiç u bë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe të Bosnjës, VRS, në luftën 1992-95 në Bosnjë.

I akuzuar menjëherë pas luftës për krime të ndryshme, ai iu shmang drejtësisë për 16 vite para arrestimit të tij në Serbi në 2011.

Ai mbahet mend kryesisht për një masakër famëkeqe të rreth 8 mijë boshnjakëve pasi forcat e tij pushtuan qytetin e rrethuar të Srebrenicës në 1995, një ngjarje që u bë sinonim i brutalitetit të luftërave ballkanike të viteve 1990.

Masakra e Srebenicës

Në korrik 1995-ës, forcat nga Republika Srpska e shkëputur nga Bosnja dhe aleatët paraushtarakë vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenica.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë (ICTY) kaloi vite duke hetuar masakrën.

ICTY zbuloi se forcat serbe të Bosnjës filluan planifikimin e gjenocidit gjatë fazës përfundimtare të Luftës tre-vjeçare të Bosnjës, në Mars 1995.

Objektivi i forcave serbe të Bosnjës ishte kapja e Srebrenicës, e cila ishte shpallur pjesë e një zone të sigurt të OKB-së në 1993.

Kur sulmuesit pushtuan Srebrenicën më 11 korrik dhe morën paqeruajtësit peng, rreth 25 mijë boshnjakë u larguan në periferi të qytetit.

Një ditë më vonë, sulmuesit filluan t’i sulmojnë, përdhunojnë dhe t’i vrasin ata.

Më 12 dhe 13 korrik, vajza, gra dhe refugjatë të moshuar u ngarkuan në autobusë dhe u drejtuan për në rajonet nën kontrollin e boshnjakëve.

Pasi vranë më shumë se 8 mijë njerëz nga 13 deri më 17 korrik, sulmuesit hodhën trupat e tyre në varre masive.

Pas masakrës, ushtarët serbë të Bosnjës rihapën varret masive me makineri të rënda dhe zhvendosën mbetjet njerëzore në varret dytësore dhe terciare.

Qëllimi i tyre ishte të fshihnin krimet e tyre. Patologëve iu është dashur të marrin dhe copëtojnë mbetjet njerëzore nga zona të ndryshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore