Lajme

Konfirmohet raportimi i Albanian Post, presidenca njofton anulimin e vizitës së delegacionit amerikan në Kosovë


Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konfirmuar shtyrjen e vizitës së një delegacioni amerikan në krye me nënsekretarin e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, Derek Chollet, në Kosovë, për çka raportoi Albanian Post të shtunën.

“Nuk ka anulim të vizitës, por jemi informuar se ka shtyrje të datës për gjithë turin ballkanik (pra Kosovë, Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi) për shkaqe objektive të njërit nga anëtarët e delegacionit”, tha Kupina për AP.

Informacionet e AP-së ishin se në Prishtinë Chollet nuk do të vinte vetëm, bashkë me të do të ishte dhe një nga udhëheqësit më të lartë (numri dy) të Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC).

AP merr vesh se vizita e top-delegacionit amerikan në Kosovë kishte vetëm një qëllim: Vlerësimin përfundimtar nëse qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti e sheh partner SHBA-në në procesin e normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë apo jo.

Po ashtu, burimi i AP-së bënë me dije se bashkësia ndërkombëtare do të marrë vendime, nëse është e nevojshme edhe të vështira, për rrugën përpara për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, pasi që siç thotë burimi “status quo-ja nuk do të tolerohet”, dhe se “ngatërrestarët do të ndëshkohen”.

Pra, përveç Chollet, i cili ka qenë më herët në Kosovë, do të ishte edhe një nga udhëheqësit më të lartë (numri dy) të Këshillit të Sigurisë Kombëtare (NSC).

Si institucioni më i rëndësishëm i sigurisë në SHBA, NSC kryesohet nga vetë presidenti Biden.

Të pranishmit e rregullt janë Zëvendës-Presidenti, Sekretari i Shtetit, Sekretari i Thesarit, Sekretari i Mbrojtjes, Sekretari i Energjisë, Prokurori i Përgjithshëm, Sekretari i Sigurisë Kombëtare, Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kombet e Bashkuara. Administratori i Agjencisë së SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar, Shefi i Shtabit të Presidentit dhe Ndihmësi i Presidentit për Çështjet e Sigurisë Kombëtare.

Kurse sa i përket Chollet, ai bashkë me Gabriel Escobar që, pos të tjerash, është i dërguar i posaçëm i SHBA-ve për dialogun, është një nga personat kryesor të SHBA-ve në dialogun e Kosovës me Serbinë dhe avokues i zbatimit të Marrëveshjes së arritur në Bruksel për Normalizim të raporteve, e dakorduar fillimisht në Bruksel, dhe e përforcuar me aneks në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Burime të njëjta të AP-së thonin se vizita të rëndësishme në Kosovë do të ketë edhe gjatë muajit gusht.

Gjatë kësaj kohe pritet të vijë në Kosovë edhe senatori amerikan, Chris Murphy.

Këto lëvizje të personelit në Uashington dhe iniciativa e re për të ndihmuar procesin, shpresohet ta nxjerrin situatën nga ngërçi në të cilin ka mbetur tash e sa kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore