Lajme

Konferenca e Brukselit për Sirinë, thirrje për ndihma financiare


Ditën e sotme më 29 mars, u mbajt Konferenca e pestë e Brukselit për Sirinë.

Donatorët dhe udhëheqësit botërorë bënë thirrje për ndihma financiare.  Avokatët u takuan gjithashtu për të diskutuar një zgjidhje politike të krizës humanitare të vazhdueshme në Siri.

Objektivi i Konferencës së pestë të Brukselit për Sirinë, i mbajtur online, është “mobilizimi i komunitetit ndërkombëtar, në mbështetje të një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe të besueshme politike të konfliktit në Siri”.

Cili është fokusi i bisedimeve?

Më shumë se 50 vende së bashku me 30 organizata të tjera si OJQ-të, agjencitë humanitare dhe institucionet financiare ndërkombëtare, morën pjesë në konferencë.

Udhëheqësit diskutuan çështje humanitare që prekin sirianët dhe mënyrat për të tërhequr më shumë mbështetje politike e financiare për vendin e shkatërruar nga lufta .

Në takimin e së hënës, Organizata e Kombeve të Bashkuar (OKB) dhe grupet e tjera të ndihmës apeluan për më shumë se 4 miliardë dollarë. Kjo ishte kërkesa më e lartë e bërë ndonjëherë.

Ata gjithashtu po bëjnë thirrje për 5.8 miliardë dollarë të tjera për të ndihmuar gati 6 milionë refugjatë sirianë që janë larguar nga vendi.

Konferenca e mëparshme e donatorëve në qershor të vitit të kaluar ngriti premtime prej 5.5 miliardë dollarësh për vitin 2020.

Ku nevojiten më shumë paratë e ndihmës?

Fondet e kërkuara do të ndihmojnë Libanin, Jordaninë, Turqinë, Irakun dhe Egjiptin, të cilët kanë strehuar miliona refugjatë sirianë, pavarësisht probleme të tyre.

Ndihma dhe donacionet ndërkombëtare në Siri kanë ardhur në rënie, që para pandemisë së coronavirus-it.

Në një shembull të humbjeve të financimit, Programi Botëror i Ushqimit kohët e fundit uli fondin e tij  në të gjithë Sirinë.

Ndërkohë, nevojat për ujë janë rritur me 40% për shkak të pandemisë, por fondet nuk kanë qenë në gjendje të kapërcejnë hendekun.

Cila është situata aktuale në Siri?

Siria tani po përballet me krizën më të keqe ekonomike që nga fillimi i konfliktit në 2011-ën. Monedha e saj vendase është rrëzuar, me çmimet e ushqimeve që rriten me 222% nga viti i kaluar.

Për më tepër, nëntë në 10 persona jetojnë nën kufirin e varfërisë dhe në veriperëndim të Sirisë, afër tre të katërtat e 4.3 milionë banorëve përballen me pasiguri ushqimore.

Sipas OKB-së, 13.4 milionë njerëz në Siri, më shumë se gjysma e popullsisë së para-luftës në vend, kanë nevojë për ndihmë, duke shënuar një rritje prej 20% nga viti i kaluar.

Lufta civile në Siri ka vrarë më shumë se 388 mijë njerëz dhe ka zhvendosur miliona të tjerë, që nga shtypja brutale e regjimit e protestave anti-qeveritare në 2011.

Sipas një raporti të publikuar nga agjencia e lajmeve BBC, sirianët ankoheshin për papunësi të lartë, korrupsion dhe mungesë të lirisë politike nën presidentin Bashar al-Assad, i cili pasoi babanë e tij, Hafez, pasi vdiq në vitin 2000.

Në mars të 2011-ës, demonstratat pro-demokracisë shpërthyen në qytetin jugor të Deraa-s, të frymëzuar nga kryengritjet në vendet fqinje kundër sundimtarëve shtypës.

Kur qeveria siriane përdori forcë vdekjeprurëse për të shtypur mospajtimin, protestat që kërkonin dorëheqjen e presidentit shpërthyen në të gjithë vendin.

Dhuna u përshkallëzua me shpejtësi dhe vendi ra në luftë civile. Qindra grupe rebele u ngritën dhe nuk u desh shumë që konflikti të bëhej më shumë sesa një betejë midis sirianëve për ose kundër Assad-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore