Shqipëria

Kompania Satellogic shpjegon për Albanian Post si do të funksionojnë satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2” në hapësirë


Më 3 janar 2023, dy satelitët e parë shqiptar, të emërtuar “Albania 1” dhe “Albania 2”, u lëshuan nga kompania amerikane SpaceX prej një baze në Florida në orbitë, duke bërë kështu që ato të nisin zyrtarisht punë në monitorimin e territorit shqiptar nga hapësira.

Mbi mënyrën se si ato do të operojnë konkretisht dhe mbi rreziqet e mundin që mund të mbartin, Albanian Post ka kontaktuar kompaninë përgjegjëse për krijimin dhe mirëmbajtjen e tyre, Satellogic, duke hedhur dritë mbi detaje interesante të punës që dy “shqiponjat hapësinore” do të kryejnë.

Në radhë, bëhet me dije nga vetë kompania se Qeveria shqiptare ka firmosur marrëveshjen për të lejuar vrojtimin e territorit sovran përmes pajisjeve, por që njëkohësisht do të mund të ketë shfrytëzim edhe të një rrjeti të tërë (konstelacioni) të vetë kompanisë, i cili operon njëtrajtshmërisht në këtë fushë.

Në bazë të këtyre strukturave, kompania që mundëson shërbimin, mund të kapë nga hapësira çdo detaj që i nevojitet kontraktorit. Në këtë rast, shtetit shqiptar.

Konstelacioni ku gjenden dy satelitët shqiptarë quhet Aleph-1 dhe të dy ata, do të ndihmojnë në zgjerimin e kapaciteteve të gjithë gamës së shërbimeve që ofrohen.

Po ashtu, konfirmohet për Albanian Post nga kompania se edhe të drejtat ekskluzive të emrave të dy satelitëve, janë në pronësi të shtetit shqiptar dhe ato nuk mund të përvetësohen apo tjetërsohen nga instanca të tjera pa lejen e Qeverisë shqiptare.

Në mënyrë thelbësore, funksionimi i shërbimeve që ofrohen ofrohet përmes imazheve të kapura, të cilat mund të gjejnë aplikime të ndryshme.

Nga Satellogic, e pohojnë për AP-në se monitorimi do të shtrihet në fashat e mjediseve natyrore, infrastrukturës, sigurisë kufitare dhe të gjithë interesave të tjera të Qeverisë, që prej ndërtimeve, aseteve të paluajtshme të monitoruara apo rrjetit të infrastrukturës energjetike dhe të transportit.

Të gjitha këto operacione, kontrollohen nga vetë kompania Satellogic, përfshi edhe rritja e ndërgjegjësimit mbi objekte të tjera që orbitojnë Tokën dhe mund të jenë duke monitoruar Shqipërinë.

Por, vetë Satellogic, nuk ndërhyn në këto rrethana, pasi vlerësohet se mbi 6 mijë e 500 satelitë orbitojnë planetin dhe prej tyre, mbi 3 mijë janë aktivë.

Këtu përfshihen edhe ato, të cilët shërbejnë për vrojtimin e kushteve atmosferike apo shërbimeve të tjera dhe që mund të kalojnë mbi Shqipëri.

Ndërsa, mbi rreziqet që vetë satelitët mund të hasin gjatë punës së tyre, Satellogic garanton mbarëvajtje të gjithë operacioneve, edhe në raste të stuhive diellore me nivel të lartë fushe elektromagnetike.

Në të tilla raste, rrethanat monitorohen imtësisht dhe satelitët përgatiten për të operuar në atë që njihet si “safe mode”, duke minimizuar çdo pasojë që mund të ketë nga dëmtime të mundshme.

Këto manovra, janë më se të zakonshme sipas Satellogic dhe në historikun e tyre, nuk ka pasur asnjë rast të vetëm, ku një satelit të jetë dëmtuar në mënyrë të përhershme dhe të mos ketë punuar më si duhet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore