Lajme

Komisioni qeveritar: Do të vazhdojmë angazhimin në shërbim të mbijetuarve të dhunës seksuale


Memoriali "Heroinat" në Prishtinë dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

Komisioni Qeveritar në Ditën e të Mbijeturave të Dhunës Seksuale, përmes një deklarate ka shprehur përkushtimin më të lartë për të vazhduar punën në procesin e njohjes së statusit të tyre.

Kjo deklaratë nga ky Komision vjen pasi në Kosovë për herë të parë është duke u shënuar 14 prilli – Dita e të Mbijetuarve të Dhunës seksuale

“Sot më shumë se kurrë, nderojmë të mbijetuarat/it e dhunës seksuale, njohim vuajtjen e tyre dhe shprehim respektin tonë më të thellë për të gjithë ata. Komisioni Qeveritar ndër vite ka bërë të pamundurën që të mbështes të mbijetuarat/it duke i trajtuar me dinjitetin më të lartë që meritojnë dhe presin nga ne”, thuhet në deklaratë.

Teksa është thënë se do të vazhdohet të punohet në këtë drejtim.

“Komisioni Qeveritar edhe në të ardhmen do të vazhdojë punën e tij profesionale dhe në qendër të angazhimit do të ketë gjithnjë të mbijetuarat/it. Komisioni siguron konfidencialitet gjatë shqyrtimit dhe vendosjes për rastet që aplikojnë për e njohjen e statusit viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës çlirimtare të Kosovës”.

Ndër të tjera, është theksuar se të mbijeturat/it e dhunës seksuale gjatë luftës kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme nga institucionet, për më shumë mbështetje nga familja, komuniteti dhe shoqëria.

“Andaj me shënimin e kësaj dite i bëjmë thirrje, të gjithë shoqërisë që të mbështesin të mbijetuarit për tu përballur me pasojat e krimeve mizore të cilat i përjetuan, dhe t’ju qëndrojnë pranë në rrugëtimin për realizimin e plotë të të drejtave të tyre ligjore.

“Komisioni Qeveritar do të vazhdoj punën e tij në ngritjen e ndërgjegjësimit për krimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe praktikat e tij që tashmë janë njohur si shembull pozitiv ndërkombëtarisht”, thuhet në deklaratë.

Për herë të parë në Kosovë, 14 prilli i këtij viti do t’i kushtohet një të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit.

Kjo ditë për më tepër, do të shënohet në shenjë solidarizimi me rreth 20 mijë persona, gra e burra, të cilët vlerësohen se kanë qenë viktima të dhunës seksuale para 24 vjetësh.

Me propozim të presidentes Osmani, Qeveria e Kosovës para dy dite e caktoi datën e sotme si ditë që do t’i dedikohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore