Shqipëria

Komisioni Hetimor për shëndetësinë përplas opozitën me mazhorancën sërish


Një tjetër përplasje e ashpër mes mazhorancës dhe opozitës ka ndodhur gjatë punimeve të radhës të Komisionit Hetimor për Shëndetësinë, pas disa bojkoteve në seanca të kaluara.

Në fillim të seancës së 25 prillit, ishte përfaqësuesi socialist, Plarent Ndreca, ai i cili ka kërkuar që të miratohet plani hetimor për këtë Komision. Teksa, nga ana tjetër, kryetarja, Albana Vokshi, nga radhët e demokratëve, ka thënë se Ndreca ka bërë përpjekje për të bllokuar punimet.

“S’duhet të humbin asnjë minutë kohë, të fillojmë nga hetimi. Radha e punës që është propozuar nga unë është që të miratojmë planin e hetimit, pastaj kërkesat për marrje provash. Propozimi i kolegëve të mi që përfaqësojnë mazhorancën, është që pika e parë e rendit të ditës është miratimi i planit të hetimit që të nisim sa më parë hetimi”, ka përmendur Ndreca.

Vokshi, nga ana tjetër, ka thënë se mazhoranca ka shkuar në Komision për të mos hetuar.

“E keni shprehur këtë dhe me komunikimin e djeshëm mes kryetares dhe nënkryetari, duke përdorur edhe gjuhë shantazhuese. As më intimidoni, shtantazhoni, unë do ndjek procedurat parlamentare. Neni 15 pika 2 thotë se ekspertët ligjorë ja raportojnë gjetjet komisionit dhe propozojnë planin e hetimit. Pasi sigurohen të dhënat komisioni miraton planin e hetimeve sipas propozimit të ekspertëve. Pra nis vetëm pasi të mblodhën faktet dhe provat, pasi marren informacionet e kërkuara nga institucionet apo kompanitë private. Në asnjë rast plani hetimor nuk miratohet pa marrë provat e nevojshme”, theksoi ajo.

Ndërhyrje më pas pati edhe nga deputeti demokrat, Saimir Korreshi, i cili pretendoi se plani i kërkuar nga socialistët nuk është i plotë dhe se një format kokë më kokë nuk është i përcaktuar.

Deputetja Ina Zhupa ndërkaq, nga radhët e demokratëve, ka akuzuar eksponenten socialiste, Milva Ekonomi, se nuk është paraqitur prej dy seancash, pas akuzave të opozitës se ajo gjendet në konflikt interesi me këtë Komision.

“Hera e dyte që deputetja Milva Ekonomi mungon në komision dhe mesa duket as do vijë më, por unë e mirëpres si dëshmitare”, tha Zhupa.

Më tutje ndërkaq, tha edhe se plane hetimi pa pasur prova paraprake, nuk mund të bëhen, duke kundërshtuar kërkesën e Ndrecës.

“Një është plani paraprak i hetimit që prezantohet nga kryetarja, momenti tjetër është plani final i paraqitur nga ekspertët. Ka një moment tjetër procedural që është mbledhja e informacionit. Duhet të çojmë kërkesat për informacion dhe më pas të kemi një plan hetimor. Nuk thotë ligji që nga plani paraprak, kalohet te plani i hetimit dhe më pas te informacionet. Kemi një muaj këtu dhe halli është si mos të marrim informacion. Si të fshihem klientët tuaj. Nuk jemi votuar që të kalojmë kohën, jemi këtu për të kërkuar informacion, për të bërë plan hetimi”, nënvizoi Zhupa.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore