Shqipëria

“Komisariati Digjital” – procedohen administrativisht 432 drejtues mjetesh


Falë aplikacionit “Komisariati Digjital” të shtunën e 7 gushtit, janë denoncuar në polici 432 shkelje të drejtuesve të mjeteve, për pasojë po procedohen administrativisht.

Shumica e njoftimeve janë mbi informalitetin në fushën e transportit publik. Kryesisht në zonat periferike të kryeqytetit apo rrugë në të cilat prezenca fizike e Policisë është më e reduktuar.

Qytetarët kanë mundësinë që të jenë “Syri i Policisë” edhe në zonat më të largëta falë këtij aplikacioni.

Përkatësisht po procedohen 31 drejtues të automjeteve të ndryshme, të cilat janë denoncuar për ushtrim aktiviteti të palicencuar në fushën e transportit publik.

22 për shkelje të sinjalizimit të ndritshëm (semafor). 123 për qarkullim në korsitë e shërbimit publik. 46 për parakalime të gabuara. 19 për veprime të rrezikshme dhe gara shpejtësie. 191 për shkelje të tjera të rregullave të ndryshme të qarkullimit rrugor.

Ndërkohë, në të gjithë vendin, gjatë kësaj jave, janë ndëshkuar me masë administrative 1 mijë e 994 drejtues automjetesh për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Aplikacionit “Komisariati Digjital”

Në aplikacionin “Komisariati Digjital” përfshihen tetë natyra paligjshmërie; parkim i gabuar/aksident, ndërtim pa leje, korrupsion, vjedhje, armëmbajtje pa leje, ankesë, dhunë në familje, krim mjedisor.

Aplikacioni është falas dhe mund të shkarkohet nga të gjithë. Në “Komisariatin Digjital” është hapur dhe një rubrikë për interesimin e qytetarëve “Pyet KD?”.

Çdo denoncim i kryer në aplikacion ruan anonimatin e qytetarëve.

Procesi i digjitalizimit të shërbimeve 

Një nga premtimet e kryeministrit të  Shqipërisë, Edi Rama gjatë fushatës elektorale të 25 prillit ishte edhe procesi i digjitalizimit të shërbimeve nga qeveria.

“Po mbyllim rreth 900 ndërveprime mes qytetarëve dhe shtetit që janë kthyer online”.

Sipas tij, 94% e të gjitha shërbimeve që jep Republika e Shqipërisë për qytetarët do të jenë online.

Falë digjitalizimit të shërbimeve në vend ka rënë korrupsioni apo fuqia e ryshfetit, i cili ka qenë masivisht i përhapur.

Ai tha se “1% ishin shërbime online deri para 7 vjetësh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore