Shqipëria

Komisariati Digjital: Krimi mjedisor është bërë aktiv


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar në profilin e tij zyrtar në median sociale Facebook, aktivizimin e dritares për krimin mjedisor në aplikacionin “Komisariati Digjital”.

“Tani mund të denonconi ndotjen e tokës (vendbanimit, rrugëve, parqeve, plazheve), ujit, depozitimet e paligjshme të mbetjeve, ndotjen me inerte dhe ndotjen akustike”, shkruan në statusin e tij Rama.

Më herët, ishte ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, së bashku me ministren e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, që deklaruan se, “asnjë nuk do t’i shpëtojë ndëshkimit nga krimet mjedisore”.

Kumbaro në fjalën e saj bëri thirrje që këto krime – “qoftë edhe një letër e hedhur në tokë” – duhet të ndalen për të shmangur pasojat e mjedisit.

Çuçi bëri me dije se falë aplikacionit “Komisariati Digjital”, nga 40 mijë denoncime, 276 prej tyre lidhen me krimet mjedisore.

Të dy Ministrat shtuan se parandalimi i këtij krimi mbetet prioritet e qeverisë dhe një emergjencë jetike.

“T’i hapim rrugë mbarëvajtjes së mjedisit për veten dhe fëmijët tanë. Bashkë me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit kemi nisur përgatitjen e një programi për riciklimin e letrës në shkolla dhe në universitete”, vijoi Kumbaro në fjalën e saj.

Për sa i përket “Komisariatit Digjital”, Çuçi ritheksoi se anonimati është i garantuar dhe në butonin “Krimet Mjedisore” janë shtuar pesë rubrika të reja.

“Të gjithë përdoruesit e aplikacionit do të mund të gjejnë të renditura llojet e krimit mjedisor si ndotje uji; ndotje e tokës; depozitim i paligjshëm mbetjesh; ndotje me inerte dhe ndotje akustike”, ravijëzoi Ministri i Brendshëm.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore