Sport

Kombëtarja e femrave U-19, Krepi: Atmosferë pozitive, ndaj Andorrës japim më të mirën tonë


Kombëtarja shqiptare e femrave për grupmoshën nën 19 vjeç ka nisur sot përgatitjet për ndeshjen e dytë ndaj Andorrës, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2022.

Trajneri Kreshnik Krepi ka pasur të plotë të gjithë skuadrën e tij, duke zhvilluar kështu një seancë të plotë stërvitore.

“Atmosfera e skuadrës është shumë pozitive. Sa i përket gjendjes fizike të skuadrës, nuk është në 100% e tyre, pasi edhe kampionati i femrave në Shqipëri ka dy javë që ka nisur”, tha Krepi për “Fshf.org”.

“Gjithsesi në raport me mundësitë, me elementin që kemi në skuadër, të paktën te ndeshja e parë, ne dominuam në shumë aspekte të lojës, ku me pak fat edhe mund ta fitonim ndeshjen”.

“Pavarësisht se krijuam 3-4 situata për të shënuar, loja mbaroi 0-0 por gjithsesi vajzat kanë një atmosferë shumë pozitive dhe kjo na bën të jemi optimistë për një rezultat pozitiv te ndeshja e radhës”.

“Sa i përket rezultatit në ndeshjen e radhës, besoj shumë te kondicioni dhe elementet e shprehive të situatave në sulm”.

“Në raport me Andorrën, jam i bindur që nuk do të luajë si me Uellsin, sepse diferencat ishin shumë të mëdha dhe e priti kundërshtarin 90 minuta në gjysmëfushën e vet”.

“Gjithsesi do bëjmë më të mirën dhe me Andorrën do mundohemi të realizojmë një gol dhe kur realizon, gjithmonë duke qenë pastër mbrapa dhe të mundohemi pa gabime, të shpresojmë të marrim tre pikëshin- përfundoi fjalën e tij trajneri Krepi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore