Përballje

Kombëtarja e femrave në futboll shkatërron skuadrën e Hong Kong-ut


Kombëtarja e Kosovës për femra në futboll ka shënuar fitoren e dytë në turneun “Turkish National Womens Cup Alanya 2023”.

Pas Estonisë, Dardanet kanë triumfuar kundër Kombëtares së Hong Kongut, madje duke e shkatërruar me rezultat 7:0.

Fillimi i pjesës së parë ishte i baraspeshuar, por në vazhdim ato kontrolluan plotësisht lojën, bashkëvepruan mirë dhe në minutën e 30-të Albulena Guri shënoi për 1:0 ,duke kaluar Kosovën në epërsi dhe me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë.

Pjesa e dytë nisi me një mbizotërim të plotë të Dardaneve, të cilat shënuan rrëbesh golash.

Fillimisht, ishte Kaltrina Biçkaj që shënoi në minutën 65-të, e cila realizoi gol edhe në minutën e 79-të.

Në vazhdim për 4:0 shënoi Valentina Metaj në minutën 85-të.

Serinë e golave e vazhdoi Jehona Shala e cila shënoi në minutën 89-të dhe 91-të dhe në fund për ta përmbyllur rezultatin prej 7 golave u kujdes Donjeta Halilaj.

Përzgjedhësja Andersen në këtë takim provoi përbërjen e dytë, duke e pushuar përbërjen e parë për ndeshjen e fundit kundër Bullgarisë që llogaritet kombëtare më cilësore.

Ndeshja kundër Bullgarisë zhvillohet më 21 shkurt në ora 11:00.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore