Shqipëria

‘Kolonia’ shqiptare zë rrënjë në Britani…brenda dhjetëshes më pjellore


Lajmet që më së shumti kanë zënë ballinat e mediave britanike sa i përket shqiptarëve në ditët e fundit, sigurisht që lidhen me trafikimin e jashtëligjshëm përmes kanalit të Le Manche, ku video të shumta janë publikuar edhe në median sociale Tik Tok, teksa tregojnë se si shqiptarët e kalojnë ilegalisht ngushticën mes Francës dhe Britanisë së Madhe.

Mirëpo, komuniteti shqiptar i ka vendosur rrënjët prej kohësh në Britaninë e Madhe dhe me sa duket, ‘kolonia’ shqiptare atje është rritur.

Të dhënat e fundit statistikore në Britani, duke përfshirë vetëm Anglinë dhe Uellsin, tregojnë se mamatë dhe baballarët e rinj në ishull, të cilët e kanë vendin e lindjes dhe origjinës në Shqipëri, hyjnë tashmë edhe në 10-shen më “pjellore” të kombësive të huaja.

Kjo është edhe e parë që shqiptarët hyjnë në këtë kategori.

Megjithatë, vihet re nga aspektet statistikore se baballarët me origjinë nga Shqipëria, janë më të shumtë në numër se sa mamatë, duke nënkuptuar se pjesa më e madhe e emigrantëve, janë meshkuj.

Në terma konkretë, sa i përket mamave, ato shqiptare renditen në vend të 10-ë për të huajt, duke përllogaritur diçka më shumë se 3 mijë e 200 lindje në vit.

Të parat në këtë aspekt janë rumunet, me rreth 16 mijë, të ndjekura nga pakistanezet dhe indianet.

Vetëm një vend përpara nënave shqiptare ndërkohë, renditen ato amerikane.

Nga ana tjetër, meshkujt shqiptarë renditen në vend të tetë për nga baballarët e huaj, me mbi 3 mijë e 500 lindje në vit, prej personave me vendlindje Shqipërinë.

Në këtë kategori, pakistanezët janë të parët, ndjekur nga indianët dhe më pas rumunët.

Problemet me lindshmërinë ndërkaq, duket se janë të pranishme edhe në këto komunitete ndër vite, pasi për nënat me origjinë të huaj, ku bëjnë pjesë edhe shqiptaret, ka një rënie nga 2.5 lindje për grua në vitin 2004 në dy lindje për grua në 2021-shin.

Trendi për gratë britanike është disi më konstant, ku pavarësisht ulje-ngritjeve, mesatarja mbetet në 1.6 lindje për grua.

Një rritje e mëtejshme ndërkohë sa i përket lindjeve nga vajza apo gra me origjinë shqiptare, pritet të ndodhë për shkak të ngjarjeve të fundit, ku qindra mijëra shqiptarë e kanë kaluar ilegalisht kufirin, nëpërmjet kanalit të Le Manche.

Ndonëse jo një rritje e menjëhershme e fluksit të lindjeve, plani afatgjatë mund të rezultojë më “pjellor” për shqiptarët, duke parë edhe afërsinë në renditje me vende si Lituania, Gjermania, Afganistani apo Nigeria e Bangladeshi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore