Sport

Koha kur Newcastle refuzonte Zidane për 1.2 milionë paund


Zinedine Zidane është një nga lojtarët më të mëdhenj në historinë e futbollit. Por, në vitin 1996 ai ishte në dorën e Newcastle, të cilët refuzuan transferimin e tij.

Asokohe ish-kampioni i Botës, aktivizohej te Bordeaux në Francë dhe kërkoi largimin. Agjenti i tij ja ofroi klubit të Newcastle për 1.2 milionë paund. Anglezët e refuzuan me preteksin se Zidane nuk ishte mjaftueshëm i mirë për të luajtur në Premier League.

Eleganca, aftësia dhe vizioni në fushën e blertë e bënë Zidane-n të njohur në gjithë botën e futbollit. Ai fitoi Kupen e Botës dhe Kampionatin Evropian me Kombëtaren e Francës, si dhe gjithçka në nivel klubesh.

Barry Silkman

Barry Silkman, ishte agjenti që i sugjeroi trajnerit të Newcastle në atë kohë, Kevin Keegan-it, Zidane-n. Mund të ishte marrëveshja e shekullit për klubin anglez.

Silkman-i tregon në një intervistë për “talkSPORT” se emrin e Zidane-t e kishte dëgjuar nga miku i tij, ish-lojtari i West Ham-it, Robbie Slater-i.

“Ditën që shkova për ta parë duke luajtur, ai në fakt ishte me grip dhe u aktivizua vetëm në pjesën e parë, por ai shënoi një gol dhe asistoi te dy të tjerët”, tregoi Silkman-i.

Zidane ishte pjesë e Francës dhe luante në Kupën UEFA me Bordeaux. Për Silkman-in talenti i tij ishte i dukshëm dhe ra direkt në kontakt me trajnerin Keegan.

Kevin Keegan

“Une fola me Kevin (Keegan) dhe i thashë se kam parë këtë lojtar në Francë dhe se ai dukej absolutisht fantastik. Emri i tij është Zinedine Zidane. Ai është 24-vjeç dhe kjo ishte në janar të vitit 1996”, shtoi më tej Silkman-i për “talkSPORT”.

“Kevin më tha se do të merrte dikë në Francë dhe ai i njeh lojtarët dhe do ta bënte ta shikonte. Unë i thashë ‘Kev, një milion përqind ai do të jetë mjaft i mirë’”.

“Ndërsa isha atje shkova ta takoja presidentin e Bordeaux dhe ai më tha se kërkonte 1.2 milionë paund dhe nëse do ta merrnin do të më paguanin një komision të vogël prej tyre”.

Agjenti tha gjithashtu se trajneri i Newcastle, kishte marrë një raport nga i dërguari i tij në Francë. Më pas i kishte dërguar një faks Silkman-it duke i thënë se “lojtari nuk ka asnjë shans për t’ia dalë, në rastin më të mirë ai mund të luajë për Wolves-in”. Në atë kohë, Wolves-i ishte në fund të tabelës së Ligës së Parë (e dyta për nga rëndësia).

Zinedine Zidane

“I telefonova Kevin-it dhe i thashë ‘kë në Tokë ke dërguar për ta parë këtë lojtar, Stevie Wonder-in apo Ray Charles-in”. (Të dy këngëtar).

“Kevin qeshi dhe më tha se ishte ishte djali që ata kishin në Francë dhe ky ishte raporti i tij”, shtoi më tej agjenti Silkman.

Përfundmisht shpresa për të parë Zidane në “St. James Park” u shua. Në vitin 1996, ai u shpall lojtari më i mirë në Ligue 1 dhe Juventus-i nuk e humbi mundësinë për të nënshkruar me të, me të njëjtin çmim që ai iu ofrua Newcastle.

Gjithashtu, Silkman-i duket se nuk kishte hequr dorë nga Zidane. Ai tregoi se kishte lidhje në kalimin e Zidane te Juventus-i, pasi kishte biseduar me Roberto Bettega-n, një prej legjendave të “Zonjës së Vjetër” që kishte rol të rëndësishëm në hierarkinë e klubit.

“Unë fola me mikun tim Maurizio dhe ai bënte shumë punë për Juventus-in. Kunati i tij ishte shefi ekzekutiv në klub, emri i tij është Roberto Bettega”, tha Silkman-i.

“Thirra Maurizio-n dhe i thashë ‘unë kam një lojtar fantastik dhe mendoj se ai do të jetë mjaft i mirë për të luajtur për Juventus-in. Ai quhet Zinedine Zidane, ai është në Bordeaux”.

“Ai u kthye tek unë disa orë më vonë dhe tha se ishte interesant dhe ata kishin raporte për të”.

Më pas Bettega kishte telefonuar, Maurizio-n, dhe i kishte thënë se e vlerësonte opinionin e Silkman-it dhe se mendonte se ai ishte gjykuesi më i mirë i një futbollisti që ka takuar ndonjëherë.

“Ai (Zidane) shkoi te Juventus-i dhe siç thonë ata, pjesa tjetër është histori”, përfundoi Silkman-i.

Zidane u shit më pas nga Juventus-i te Real Madrid-i në vitin 2006 për shifrën rekord për kohën, 77.5 milionë euro.

Në Torino dhe Madird, francezi fitoi dy Serie A, një Superkupë të Italisë, dy Superkupa të Spanjës, një La Liga, një Champions League, dy Superkupa të Evropës dhe dy Kupa Ndërkontinentale.

Gjithashtu në vitin 1998 ai fitoi Kupën e Botës dhe Topin e Artë. Në vitin 2000 fitoi Kampionatin Evropian. Ndërsa u shpall tre herë si lojtari më i mirë i vitit në Evropë, përkatësisht në vitet 1998, 2000 dhe 2003.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore