Lajme

KMDLNJ kërkon drejtësi për rastin e dhunimit të 11-vjeçares


Këshilli për mbrojtjen e të drejtave e të lirive të njeriut.

Këshilli për mbrojtjen e të drejtave e të lirive të njeriut, ka reaguar ndaj dhunimit të 11 vjeçares në parkun e Lagjes Arbërie, të shtunën.

Përmes një reagimi KMDLNJ ka thënë se ky ishte njëri ndër rastet më të rënda të dhunimit.

“KMDLNj e gjykon këtë dhunim si shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe kërkon që hetimet për këtë rast të kenë prioritet absolut. KMDLNj përgëzon Policinë e Kosovës për një veprim të shpejtë dhe profesional në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve për këtë dhunim të rëndë”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndërkaq, ka kërkuar nga qytetarët që paraqesin të gjitha rastet e ngjashme.

“KMDLNj kërkon nga qytetarët që të paraqesin rastet në mënyrë që të parandalohen e jo të merremi vetëm me pasoja siç ishte rasti i fundit. Për caktimin e shkallës së dënimit për të akuzuarit, përgjegjësi ligjore dhe të vetme kanë gjykatat përgjegjëse, pas procedimit të provave”.

Foto nga arkivi.

Po ashtu, ka kërkuar nga institucionet zbatimin e të gjitha masave duke u bazuar në ligj.

“KMDLNj konsideron se reagimet euforike, ato që bëhen nga pozitat e larta politike dhe institucionale janë presion, si në punën e hetuesisë ashtu edhe në vendimmarrjen gjyqësore. Janë jashtë çdo konteksti normal, moral dhe ligjor që të kërkohen zbatim të masave që janë në kundërshtim me shtetin e së drejtës dhe ligjeve në fuqi”.

“Ose duhet t’i besojmë ligjit dhe shtetit, si mbrojtës i të drejtave të njeriut të gjithë qytetarëve ose të drejtës zakonore”.

Policia e Kosovës ka njoftuar se është identifikuar edhe i dyshuari i pestë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë të shtunën.

“Pas hetimeve intensive të kryera nga hetuesit rajonal kompetentë, sot më 29.08.2022 janë arrestuar edhe dy persona të tjerë të dyshuar, përderisa është identifikuar edhe personi i pestë i dyshuar për përfshirje në rastin “dhunim””, ka njoftuar policia e Kosovës.

Sipas organeve të rendit, lidhur me rastin e “ dhunimit” policia deri në këtë fazë ka arrestuar gjithsej katër persona, personi i pestë është identifikuar, është kërkuar në shtëpinë e tij, nuk është gjet në shtëpi dhe i njëjti ndodhet në kërkim policor.

‘’Polica e Kosovës është e përkushtuar në trajtimin e rastit të lartcekur në mënyrë sa më profesionale dhe kryerësit e këtij akti të sillen para organeve të drejtësisë”.

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, ka thënë për Albanian Post se me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti për të Mitur, janë ndaluar dy persona të dyshuar për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Dhunimi”, si dhe ndaj të njëjtëve Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente.

Ulaj, ka theksuar se ndaj rastit të dhunimit të së miturës janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Ndaj rastit në fjalë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në koordinim me të gjitha institucionet relevante, andaj, meqë kemi të bëjmë me procedurë për të mitur, nuk mund të japim informata të tjera, për shkak të ruajtjes së integritetit të të miturve në procedurë”, ka shtuar ajo.

Ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit për një muaj, ndaj dy të miturëve të cili dyshohet që së bashku me katër persona të tjerë dhunuan një të mitur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore