Lajme

KMDLNJ-ja propozon të vendosen kamera afër kontejnerëve të mbeturinave


Foto nga Prishtina.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka ngritur si shqetësim menaxhimin e mbeturinave në Prishtinë.

Sipas KMDLNJ-së menaxhimi aktualisht është i keq që nga cilësia, numri, lokacioni ku janë të vendosura kontejnerët e deri te grumbullimi, mbledhja dhe largimi i tyre.

“KMDLNJ-ja rekomandon drejtorinë përkatëse në komunën e Prishtinës të bëjë një incizim të gjendjes ekzistuese të kontejnerëve dhe pikave të grumbullimit të mbeturinave si dhe deponisë së mbeturinave”.

Nga ky këshill është thënë se platoja mbi Pallatin e Rinisë ka hapësirë të mjaftueshme për t’u zhvilluar panaire të ndryshme në të, në vend të shesheve si “Adem Jashari”, “Zahir Pajaziti” e “Skënderbeu”.

Për të cilat është thënë se janë të mbingarkuara.

“KMDLNJ-ja rekomandon që në të gjitha pikat ku janë të vendosur kontejnerët të mbulohen me kamera në mënyrë që abuzuesit me mbeturina të dënohen për shkeljet eventuale që i bëjnë”, thuhet në reagim.

Përveç mbeturinave që hedhen në hapësira të jashtme të Kosovës, në të kaluarën ka ekzistuar edhe një shqetësim tjetër nga stafi mjekësor dhe organizatat e ndryshme joqeveritare.

Të cilat kishin shprehur shqetësimin e tyre për rrezikshmërinë e qytetarëve nga prania e pajisjeve dhe produkteve mjekësore që përdoren për mbrojtjen dhe trajtimin e pacientëve të sëmurë me COVID-19, në ambiente të ndryshme në Kosovë.

Kjo për shkak se përdorimi i maskave dhe dorezave për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit, kishte rritur sasinë e mbeturinave të tyre jashtë kontejnerëve.

Prandaj, më 2 maj, Ministria e Shëndetësisë kishte nënshkruar me Agjencionin Gjerman për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) aktin e dorëzim-pranimit të pajisjeve për mbeturina medicinale, që GAZ-i i ka siguruar për MSH-në, e që kapin vlerën rreth 210 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore