Kosova

KMDLNJ e quan “diskriminim” trajtimin ndaj të burgosurve, kërkon të hetohen vrasjet


KMDLNJ.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka reaguar pas vdekjes së një personi të hënën në burg, duke thënë se të burgosurve janë duke iu mohuar të drejtat për trajtim të duhur shëndetësor.

Përmes një komunikate dërguar mediave, ky këshill ka thënë se personi që ndërroi jetë s’ka pranuar trajtimin e duhur për problemet e rënduara.

“KMDLNj-nja e rikujton opinionin se në institucionet e mbajtjes në Kosovë një numër i konsiderueshëm i të burgosurve mbahen në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut shkaku se vuajnë nga sëmundje të pashërueshme apo kanë çrregullime të rënda të shëndetit mendor prandaj kërkojnë mbikëqyrje 24-orëshe apo të pjesshme”, thuhet në komunikatën për media.

Nga këshilli, është kërkuar hetim profesional mbi rastin e tij, duke thënë se Kuvendi duhet të kërkojë formimin e një komisioni hetimor.

“Në kohën kur të burgosurit kosovarë vdesin apo vetëvriten për mungesë të trajtimit të duhur shëndetësorë, në Burgun e Gjilanit po bëhen renovime me të cilat përkujdesja shëndetësore për të burgosurit jodanezë që do të blihen nga Danimarka, do të jetë sipas standardeve të Danimarkës. Çfarë diskriminimi”.

Shërbimi Korrektues kishte thënë se viktima më 12 shkurt, ka pësuar krizë të vetëdijes dhe pas reanimimit të vazhdueshëm nga mjeku kujdestar në Stacionarin e Burgut është dërguar në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku është konstatuar vdekja e tij.

Rasti është iniciuar dhe po hetohet si vdekje e dyshimtë.

Ndërsa, për rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit dhe me vendim të këtij të fundit trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore