Sport

Klubi i Gjilanit fajëson Policinë e Kosovës për incidentin ndaj Ballkanit, kryesia e “Skifterave” japin dorëheqje


Pas incidentit të shëmtuar që ndodhi sot (e diele) në ndeshjen ndaj Gjilani dhe Ballkanit, ka reaguar kryesia e klubit të Gjilanit.

Përmes një komunikate për media, kryesia e klubit të Gjilanit dënoi ashpër këtë ngjarje të shëmtuar që ndodhi ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri, i cili u sulmua nga tifozët gjilanas, ku më pas u dërgua në spital.

Por, për këtë ndodhi të shëmtuar, klubi i Gjilanit ka fajësuar edhe Policinë e Kosovës, të cilët thanë se reagimi i tyre ishte i dobët.

“Sport Club Gjilani dënon ashpër incidentin e ndodhur në duelin e xhiros së XXVII-të në BKT Superligë ndaj skuadrës së Ballkanit”, thuhet në komunikatën për media.

“Si klub nikoqir i kësaj ndeshje kishim ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes, ndër të tjerash kishim siguruar edhe qëndrimin e tifozëve mysafir”

“Për fat të keq situata u agravua në minutat shtesë të ndeshjes me rastin e golit të barazimit dhe si rrjedhojë e reagimit të dobët nga Policia e Kosovës erdhi edhe incidenti, me ç’rast u lëndua futbollisti Stivi Frashëri, të cilit i urojmë shërim të shpejtë në rend të parë dhe ndjesë për këtë ngjarje, e cila vetëm Sport Club Gjilanit nuk guxon t’i ndodh”

“Sport Club Gjilani shpreh keqardhje për gjithë atë se çfarë ka ndodhur dhe do të përkujdeset me përgjegjësinë më të lartë që ky të jetë incidenti i fundit, në ndeshjet të cilat organizohen nga klubi”, thuhet mes tjerash në komunikatën e klubit të Gjilanit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi edhe nga tifozët e Gjilanit, “Skifterat”, të cilët janë distancuar nga ky veprim, madje kryesia e tyre ka dhënë dorëheqje.

“Kryesia e Skifterave ka vizituar në ambientet spitalore Stivi Frashërin për të parë nga afër gjendjen e tij shëndetësore dhe për të shprehur keqardhje për ndodhinë”

“Gjatë pjesës së dytë individ nga tribuna vendase janë ofenduar anasjelltas me portierin mysafir dhe në momentin e golit nga euforia e futjes në fushë, një person ka shtyrë Frashërin dhe një tjetër e ka shkelmuar, ndërkaq kanë qenë kryesia e Skifterave të cilët i janë hedhur sipër për ta mbrojtur”

“Distancohemi publikisht nga ky akt i shëmtuar, nuk është në traditën tonë sulmi ndaj lojtarëve të futbollit, përtej kësaj kundrejt një ekipi si Ballkani dhe tifozëve e qytetarëve të Suharekës që gjithmonë na kanë bërë të ndihemi si në shtëpinë tonë”

“Kryesia e Skifterave e indinjuar thellësisht nga ngjarja deklarohet për dorëheqje të parevokueshme si bartës të organizimit dhe paraqitjeve të grupit”, thuhet mes tjerash në deklaratën e Skifterave.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore