Sport

Klubet e Serie A janë në garë për talentin japonez


Talenti japonez, Keito Nakamura, po impresionon klube të mëdha evropiane me paraqitjet me skuadrën austriake, LASK Linz.

Një numër i madh i skuadrave evropiane janë vënë pas anësorit 22-vjeçar, derisa raportohet që edhe në kampionatin italian, Serie A, janë disa klube që kërkojnë transferimin e tij.

Siç theksohet nga “Calciomercato”, klubet e mëdha italiane po e ndjekin nga afër Nakamura-n përpara një lëvizjeje të mundshme në afatin kalimtar të verës.

Anësori japonez duket i destinuar për hapin e radhës në karrierën e tij dhe gjithashtu vlerësohet edhe nga PSV Eindhoven dhe Liverpool.

I kontraktuar me LASK deri në qershor 2025, Nakamura ka një vlerë tregu prej rreth 4 deri në 5 milion euro, por ka të ngjarë të ketë një tarifë më të lartë për shkak të potencialit të tij të dukshëm.

Anësori japonez iu bashkua skuadrës austriake në gusht të vitit 2021 nga Gamba Osaka në një marrëveshje me vlerë prej 500 mijë euro dhe ai shpejt u vendos si një sulmues tepër premtues dhe interesant.

Këtë sezon, Nakamura ka shpërthyer në skenë, duke shënuar 13 gola dhe duke dhënë gjashtë asistime në 21 ndeshje në të gjitha garat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore