Shqipëria

KLP-OPDAT trajnojnë prokurorët, SHBA në mbështetje të plotë


Pamje nga trajnimi i zhvilluar nga KLP dhe OPDAT

Këshilli i Lartë i Prokurorisë, së bashku me Zyrën Tejoqeanike të Zhvillimit, Asistencës dhe Trajtimit Prokurorial (OPDAT), kanë organizuar, të premten e 25 qershorit, një trajnim mbi Kodin e Etikës së Prokurorit me standardet më të mira ndërkombëtare.

Mbi këtë trajnim, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, ka shprehur mbështetjen e plotë.

“Të vendosim standarde etike dhe rregulla për prokurorët, si një ndër detyrat kryesore të KLP-së për 2021-shin”, shkruhet në postimin e ambasadës në Twitter.

Sipas diplomacisë amerikane, është me rëndësi vendosja e standardeve etike në nivel ndërkombëtar.

“Rregullat etike do të drejtojnë prokurorët, brenda dhe jashtë pune. Do të jetë një mjet kyç në forcimin e besimit publik në sistemin hetimor”.

Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi, ka falënderuar ndërkaq zyrën e OPDAT-it për mbështetjen dhe për realizimit e këtij trajnimi.

“Trajnimet e përbashkëta midis KLP-së dhe zyrës së OPDAT-it ndihmojnë dhe mbështesin forcimin e kapaciteteve institucionale. Kjo, për rritjen e efikasitetit dhe eficencës së sistemit të prokurorisë në vend”.

E gjitha kjo, vjen për të forcuar besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësi.

Standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes të prokurorit janë tërësia e parimeve dhe normave, të cilat udhëheqin atë.

“Miratimi i Kodit të Etikës dhe caktimi në detyrë i Këshilltarit të Etikës janë një ndër prioritet e KLP-së gjatë muajve të ardhshëm”, theksoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore