Lajme

Kina “shumë e shqetësuar” për konfliktin në Ukrainë, bën thirrje për “promovimin e dialogut”


Kina, “shumë e shqetësuar” për konfliktin në Ukrainë, i cili “po intensifikohet dhe madje po del jashtë kontrollit”, bën thirrje për “promovimin e dialogut”, tha të martën ministri i Jashtëm kinez Qin Gang.

“Ne do të vazhdojmë të promovojmë dialogun e paqes dhe të punojmë me komunitetin ndërkombëtar për të nxitur dialogun dhe konsultimin, të adresojmë shqetësimet e të gjitha palëve dhe të kërkojmë sigurinë e përbashkët”, shtoi ai gjatë takimit një konferencë në Pekin.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Këto deklarata vijnë pasi qeveria kineze mohoi të hënën se kishte marrë në konsideratë furnizimin me armë Rusisë për të mbështetur ofensivën e saj në Ukrainë, siç tha Sekretari i Shtetit i SHBA-ve, Antony Blinken.

Kreu i diplomacisë evropiane Josep Borrell vlerësoi se një dërgesë e mundshme e armëve nga Kina në Rusi do të përbënte një “vijë të kuqe” për Bashkimin Evropian.

“Ne u bëjmë thirrje vendeve në fjalë që të ndalojnë hedhjen e naftës në zjarr sa më shpejt të jetë e mundur, të ndalojnë së fajësuari Kinën dhe të mos bëjnë bujë duke bërtitur ‘Sot Ukrainë, nesër Tajvan’”, tha të martën Ministri i Punëve të Jashtme kineze, duke iu referuar territorit të pretenduar nga Kina.

Pak ditë para 24 shkurtit, një vit pas fillimit të pushtimit rus, presioni perëndimor është në rritje ndaj Kinës, e cila kurrë nuk e ka mbështetur apo kritikuar publikisht ofensivën, ndërsa ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e saj për Moskën përballë sanksioneve perëndimore.

Të shtunën, Kina tha se do të bëjë publike në ditët në vijim një propozim për të gjetur “një zgjidhje politike” për luftën në Ukrainë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore