Shqipëria

Kim “jokrenare” për institucionet shqiptare në “Marshimin e Krenarisë”


Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka shprehur mospajtimin me vendimin e institucioneve shqiptare për të mos marrë pjesë në “Marshimin e Krenarisë”.

Albanian Post mëson se gjatë komunikimit me përfaqësuesen e Avokatit të Popullit, Erinda Ballanca, diplomatja amerikane e ka konsideruar këtë situatë “një turp”.

Tirana protestonte dhe festonte nën moton “Ne jemi familje”, marshimin e krenarisë të komunitetit LGBTQI+.

Parada u kthye pas një mungese 2-vjeçare për shkak të pandemisë COVID-19.

Gjatë marshimit aktivistët bënë një ndalesë në Kryeministri.

Aktivistja për të drejtat e njeriut dhe kryetarja e Aleancës LGBTI, Xheni Karaj, ndau disa fjalë edhe për kryeministrin Edi Rama.

Karaj i kujtoi Ramës premtimet dhe takimet para se të bëhej kryeministër dhe angazhimet e munguara prej qeverisë shqiptare gjatë kësaj kohe.

Para se të vijonin me marshimin e tyre, aktivistët mbuluan shkallët e Kryeministrisë me një flamur gjigant të ngjyrave të ylberit.

Me flamurin e LGBTQI+ në duar, e pranishme në “Paradën e Krenarisë” ishte edhe ambasadorja suedeze Elsa Håstad.

Gjatë paradës, turma prej dhjetëra qytetarësh shoqërohej nga muzika dhe pankartat shumëngjyrëshe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore