Lajme

Këshilli Gjyqësor paralajmëron ankesë në Kushtetuese për Vettingun


Këshilli Gjyqësor i Kosovës

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Kushtetuese kundër procesit të Vettingut.

Ai ka theksuar se kjo do të ndodhë nëse në Kuvendin e Kosovës do të arrihen votat e mjaftueshme për amandamentimet kushtetuese ngaqë ato bien ndesh me ndërhyrjen në pavarësinë e sistemit gjyqësor edhe për faktin se shumë prej gjyqtarëve kanë mandat të përhershëm.

Zogaj ka thënë se Ministria që nisi punimet edhe për ndryshime kushtetuese, nuk ka bazë profesionale dhe as Qeveria, Kuvendi dhe institucionet tjera nuk kanë marrë ekspertizë të besueshme për ndryshime kushtetuese që prekin gjyqësorin, dhe se Vettingu si proces absolutisht e minon pavarësinë e gjyqësorit.

“Jam shumë i bindur që në dy vitet e ardhshme do të ketë gjyqtarë që nuk do të munden ta kalojnë procesin e performancës sepse kërkohet angazhim permanent edhe në kuptimin e kohës edhe atë profesional dhe cilido gjyqtar që nuk mundet ta arrijë performancën, sipas standardeve, sigurisht që do të shkarkohet nga detyra e gjyqtarit”, është shprehur ai për Klan Kosova.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj

Zogaj vlerësoi se Vettingu si proces “nuk kalon si mjet i jashtëzakonshëm siç u përmend në raportin e KE-së, por mekanizmat tjerë të brendshëm që u rekomanduan i përkrahë, siç janë ndryshimet e ligjit për gjykatat dhe atij për procedurën disiplinore ndaj gjyqtarëve e prokurorëve”.

Ndërkaq, të mërkurën e tre nëntorit, Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se koncept-dokumenti për Vettingun është dërguar në komisionin e Venecias.

“Koncept-dokumentin e kemi dërguar edhe në Komision e Venecias. Kemi marrë përgjigje pozitive që i njëjti koncept-dokument me opsionet që i kemi ndjekur do të trajtohet dhe do të na vijnë përgjigje nga Komisioni i Venecias”, deklaroi Haxhiu.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e legjislacionit për procesin e Vettingut që është mbajtur të mërkurën, Haxhiu theksoi se do të mundësohet që të ketë më shumë llogaridhënie në drejtësi.

“Ky proces do të mundësojë që brenda sistemimit të drejtësisë të kemi gjyqtarë e prokurorë që kanë integritet të lartë moral dhe profesionalë. Po zhvillohet në konsultim me ekspertët nga partnerët strategjikë si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe BE”.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se njëra ndër shtyllat e shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase.

“Sistemi ynë i drejtësisë është i brishtë në mungesë të rezultateve dhe llogaridhënës e me drejtësi selektive të pabarabartë. Mungesa e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor e prokurorial, vazhdon ta karakterizoj sistemin e drejtësisë”, deklaroi Kurti.

Për defektet dhe dështimet i pari i Qeverisë së Kosovës tha se përgjigja e vetme është vettingu.

“Pa dyshim që njëra nga shtyllat të shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore