Kosova

Kërkesa për blerjen e raketave anti-tank, Selimi: Banja krijoi realitet të ri në terren


Petrit Selimi

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, duke komentuar aprovimin e kërkesës së Qeverisë së Kosovës nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e raketave anti-tank, Javelin, ka potencuar se sulmi terroristë në Banjë të Zveçanit ka krijuar në realitet të ri në terren ani pse SHBA-të e BE-ja nuk janë gati ta turpërojnë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Një ditë pasi Cameron e lidhi shtetin serb me sulmin terrorist në Kosovë, SHBA-të kanë aprovuar shitjen e sistemit anti-tank të Javelin në Kosovës”, ka shkruar Selimi në platformën sociale, X.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka njoftuar se SHBA-të kanë pranuar kërkesën e Qeverisë së Kosovës për blerjen e raketave anti-tank, Javelin.

Me këtë rast, diplomati amerikan ka potencuar se kërkesa e Qeverisë së Kosovës tashmë i është dërguar Kongresit Amerikan, i cili pritet ta fillojë procedurën zyrtare.

Këtë njoftim Hill e ka kumtuar gjatë një takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, të mërkurën në presidencën serbe.

Në anën tjetër Vuçiç ka shprehur zhgënjimin e madh të Serbisë, pas njoftimit të Hill për pranimin e kërkesës së Kosovës për blerjen e raketave antitank, Javelin.

“Për ne është me rëndësi të madhe që paqja në rajon të mos prishet dhe Serbia të vazhdojë të sillet me përgjegjësi dhe të kontribuojë për stabilitetin në Ballkan”, citohet të ketë thënë Vuçiç.

Sistemi “Javelin” i SHBA-së pritet t’i shtohet kapaciteteve të FSK-së, krahas raketave anti-tank “OMTAS” të Turqisë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore