Lajme

Sistemi “Javelin” i SHBA-së pritet t’i shtohet kapaciteteve të FSK-së, krahas raketave anti-tank “OMTAS” të Turqisë


Ilustrim

Në dispozicion të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përveç sisitemit të fuqishëm turk “OMTAS” për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara, pritet të jetë edhe sistemi anti-tank amerikan “Javelin”, i cili shkaktoi sensacion në fushëbetejën e Ukrainës kohën e fundit – një simbol i rezistencës së forcave ukrainase ndaj agresionit të Rusisë.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Serbi, Christopher Hill, njoftoi të enjten se administrata amerikane pranoi kërkesën e Kosovës për blerjen e sistemit anti-tank Javelin, ndërsa Departamenti i Shtetit (DASH) pritet t’ia përcjellë kërkesën Kongresit të SHBA-së – një masë që synon rritjen e aftësive mbrojtëse të kombit të vogël ballkanik.

Sistemi anti-tank Javelin është një prej armëve më të sofistikuara në botë, i cili përdoret për shkatërrimin e tankeve dhe mjeteve të blinduara, ndërsa mund të operojë në të gjitha kushtet e atmosferike, ditën dhe natën, madje nuk kërkon kontroll të mëtejshëm pas lëshimit të raketës në drejtim të objektivit. Ajo mund të përshkojë 2 kilometra për afërsisht 14 sekonda.

Pesha e përgjithshme e sistemit të prodhuar nga njësia raketore Lockheed dhe Raytheon (RTX), duke përfshirë platformën e kontrollit dhe raketën në tubin e lëshimit është rreth 22 kilogramë, ndërsa raketa peshon rreth 15 kilogramë. Ajo shkon drejt objektivit përmes rrezeve infra të kuqe, ndryshe nga armët e mëparshme anti-tank që duhet të drejtohen nga operatori.

Operatori mund të ripozicionohet menjëherë pas lëshimit. Raketa mund të arrijë shpejtësinë deri në 150 metra në sekondë (540 km/h) pas lëshimit. Sistemi verpon në një distancë nga 65 deri në 4000 metra, ndërsa një Javelin, duke përfshirë sistemin e lëshimit dhe raketën, kushton rreth 180 mijë dollarë amerikanë. SHBA e përdori për herë të parë në Irak dhe Afganistan.

E sistemi OMTAS ka një rreze veprimi prej 0.2 deri në 4 kilometra dhe është i pajisur me një kokë kumulative tandem, i cili mund të depërtojë në armaturën e të gjitha tankeve dhe mjeteve të blinduara moderne. OMTAS mund të përdoret nëpërmjet platformës së vet ose duke integruar kullën e hapur ose kullën e mbyllur në platformën tokësore.

Në faqen e internetit të prodhuesit turk “Roketstan” mbi specifikat e sistemit OMTAS bëhet e ditur se sistemi mund të përdoret kundër objektivave fikse dhe lëvizëse, ndërsa karakteristikë e OMTAS është se është rezistent ndaj zjarrit dhe plumbave. Gjithashtu, sistemi anti-tank turk mund të ndryshojë objektivin gjatë fluturimit dhe mund të gjuajë nga prapa.

OMTAS lëvizë drejt objektivit në bazë të rrezeve infra të kuqe, domethënë përmes nxehtësisë së emetuar nga motorët e tankeve dhe automjeteve të blinduara, ndërsa raketa kontrollohet nëpërmjet radio-lidhjes. Ndërkaq, pesha e sistemit OMTAS, duke përfshirë platformën e kontrollit dhe raketën në tubin e lëshimit është rreth 36 kilogramë. 

Sistemi OMTAS është shfaqur për herë të parë në maj të vitit 2023 gjatë stërvitjes shumëkombëshe “Defender Europe 2023” organizuar nga SHBA-ja në mes të vitit të kaluar, ndërsa Rrjeti Ballkanik i Sigurisë (BBM) raportoi se FSK-ja është ushtria e parë, duke përjashtuar Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK)që ekspozoi sistemin turk OMTAS para publikut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore