Lajme

Katër vatra të zjarrit aktive në Kosovë – situata nën kontroll


Fshati Shtupeq i komunës së Pejës

Në fshatin Shtupeq të komunës së Pejës, është përhapur zjarri afër shtëpive të banimit.

Blerta Nikiqi, nga ky fshat ka thënë për Albanian Post, se po ndihen të rrezikuar nga zjarri, pasi ende zjarrfikësit nuk kanë arritur në vendin e ngjarjes.

“Sot nga ora 12:00 është përhapur në pjesën e fshatit zjarri afër shtëpive tona, në pjesën tonë nuk ka zjarrfikës. Janë dy vatra të zjarrit, njëra në pjesën malore e tjetra në pjesën ku janë shtëpitë”, tha Nikqi.

Pos Pejës, edhe disa qytete të tjera të Kosovës janë duke u ballafaquar me zjarrin qe disa ditë.

Zëdhënësi i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Nehat Koqinaj, ka thënë për Albanian Post se për momentin janë katër vatra të zjarrit në Kosovë.

“Vatrat e zjarrit janë në rajonin e Suharekës, të Prizrenit, në Parkun Nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’ dhe në Janjevë dhe komuna e Lipjanit”, potencon Koqinaj.

Koqinaj, apelon tek qytetarët që të kenë kujdes nga vatrat e zjarrit edhe pse situata është nën kontroll.

“Qytetarët të kenë kujdes në përhapjen e zjarreve, të mos i djegin hapësirat fushore, hamulloret ndërsa situata është duke u mbajtur nën kontroll nga organet përkatëse”, ka shtuar ai.

Ndërkaq kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, theksoi për AP se gjendja është nën kontroll, por duhet të përcjellët situata, pasi jemi është duke u ballafaquar që tri ditë me shpërthime të zjarreve në disa fshatra.

“Zjarri është përhapur në fshatin Bukosh, Reqanë e kemi një zjarr të ri në fshatin Vraniqë dhe në fshatin Studençan, të komunës së Suharekës”, kishte thënë Kryetari i Komunës së Suharekës Bali Muharremaj, për Albanian Post.

Ministër i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur këtë përmes një postimi në Facebook, se “për të shuar vatrat e zjarrit, me kapacitet të plotë janë duke u angazhuar zjarrfikësit, pjesëtarët e Forcës së Sigurisë, pjesëtarët e Policisë së Kosovës mbështetur edhe nga KFOR-i”.

Përkundër temperaturave të larta, ministri Sveçla shtoi se “kemi hasur raste të zjarrëvënies së qëllimshme nga disa qytetarë të pandërgjegjshëm, për çka Policia e Kosovës tashmë ka arrestuar dy persona, ndërsa po vazhdon hetimin edhe për raste tjera të dyshimta”.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në bazë të rekomandimit të Agjensionit për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, ka aktivizuar mekanizmin e emergjencave kundër zjarreve.

“Ju lutem të jeni të kujdesshëm, që të mos bëni veprime të cilat mund ta rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve, sepse zjarret përpos shkatërrimit dhe dëmtimit material që bëjnë, ato janë edhe rrezik për jetë”, ka thënë kryetari Haziri.

Edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes një njoftimi në Facebook ka bërë të ditur se të martën në territorin e kësaj komune janë paraqitur 20 raste të zjarreve.

“Këto zjarre kanë shkaktuar dëme sidomos në zona malore e fushore në rajonin e Zhupës, në Oshlak, Lubizhdë të Prizrenit e në Zhur”, ka shkruar Haskuka.

Kurse, Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën ka arrestuar një person 67 vjeç, në fshatin Gojbulë në Komunën e Vushtrrisë, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm- zjarrvënie.

“Zyrtarët policorë gjatë veprimeve hetimore kanë arritur të identifikojnë pronarin i cili në këtë rast ka vetshkaktuar ndezjen e hamullores në arën e tij. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve dhe zjarrfikësit të cilët kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin”, thuhet në një komunikatë për media të Policisë së Kosovës.

Komunat të cilat janë përfshirë nga zjarri janë disa fshatra në Ferizaj, Kaçanik, Shtime, Shtërpcë.

Po ashtu, vatra të reja të zjarrit  janë identifikuar edhe në komunën e Gjakovës, Malishevës, Suharekës dhe Pejës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore