Shqipëria

Karamuço: Hedhja e lëndëve viskoze të padukshme në akse rrugore, akt çnjerëzor


Eksperti i sigurisë dhe kriminalistikës Prof. Ass. Dr Ervin Karamuço, deklaroi se hedhja e vajit në akse rrugore është akt çnjerëzor.

Karamuço reagoi në lidhje me pesë aksidentet automobilistike të regjistruara në aksin rrugor Qafë Thanë – Prrenjas.

Gjatë incidenteve rrugore humbi jetën dhe një shtetase gjermane dhe dyshohet se janë shkaktuar nga hedhja e vajit në rrugë nga firmat e karrotrecave.

Ky version ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet e Policisë së Shtetit.

“Kam 5 vjet që dëgjoj për akte çnjerëzore ende të pakonfirmuara nga policia, por që vazhdojnë të shtojnë radhët e dëshmitarëve dhe viktimave. Hedhja e vajit, naftës dhe lëndëve të tjera viskoze të padukshme në disa akse rrugore po krijon aksidente, të vdekur dhe panik publik”, shkruan në median sociale Karamuço.

Transmetuesi “Euronews Albania”, zbuloi më herët se tre prej aksidenteve të regjistruara të martën e 9 majit dyshohet se kanë ndodhur si pasojë e vajit të hedhur në rrugë.

Janë pikërisht drejtuesit e karrotrecave ata të cilët dyshohen jo vetëm nga drejtuesit e automjeteve, por edhe nga Policia, që hedhin vaj vazhdimisht në rrugën e Qafë Thanës e cila është një rrugë shumë e vështirë për të ndaluar e për të kontrolluar makinën.

Sipas Euronews, drejtuesit hasen me vajin në rrugë nga drejtuesit e karrotrecave që të shkaktohen aksidente dhe pastaj drejtuesit t’i marrin në telefon për të kërkuar shërbimin e tyre e kështu të përfitojnë të ardhura.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore