Lajme

Kandiç dyshon se policët janë arrestuar në Serbi: Rrëfimi i Vuçiç-it nuk është bindës


Natasha Kandiç

Aktivistja më e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, ka dekonstruktuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, lidhur me pretendimet e tij se tre pjesëtarë e Policisë së Kosovës janë “arrestimi” 1.8 kilometra larg vijës kufitare.

“Rrëfimi serb për ‘arrestimin’ e policëve nuk është bindës – nëse policët e Kosovës do të arrestoheshin 1.8 km larg nga territori i Kosovës, siç thotë ai, pse nuk e sfidon kryeministrin e Kosovës [Albin Kurti] se i kanë ‘kidnapuar’ 300 m nga vija e Kosovës, por pyet se çfarë po bënin atje pa e lajmëruar KFOR-in”, shkroi ajo.

Presidenti serb pretendoi të enjten se kryeministri Kurti vetë e ka “pranuar se ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” me deklarimin e tij se tre zyrtarë të policisë kosovare janë kidnapuar rreth 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës, ku, sipas tij, nuk kishin të drejtë të patrullonin “pa e lajmëruar KFOR-in”.

Tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe të mërkurën gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë “arrestuar” nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga policia serbe të mërkurën, reagimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare lidhur me këtë rast dhe dënimin e Serbisë për agresionin e shfaqur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial.

Vendet partnere të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – nuk kanë reaguar akoma lidhur me këtë akt, i cili nga autoritet e Kosovës është cilësuar si cenim i rëndë i sovranitetit dhe tregues i qartë se shteti serb dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërisht në një periudhë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Kandiç: Serbia t’i lirojë policët e Kosovës në “shenjë kujtimi” për fatin e vëllezërve Bytyqi

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore