Lajme

Kandiç: Serbia t’i lirojë policët e Kosovës në “shenjë kujtimi” për fatin e vëllezërve Bytyqi


Natasha Kandiç

Aktivistja më e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, nëpërmjet një cicërime në “Twitter”, ka kërkuar nga Serbia t’i lirojë tre pjesëtarët e Policisë së Kosovës që u kidnapuan të mërkurën nga xhandarmëria serbe në vijën kufitare në veri të Kosovës.

Kandiç madje theksoi se policët duhet të lirohen në “shenjë kujtimi” për vëllezërit Bytyqi që jetonin dhe vepronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët ishin vrarë 23 vjet më parë nga njësitë speciale të policisë serbe në territorin e Serbisë, teksa po ndihmonin një familje rome të kalonin kufirin gjatë luftës.

“Ministria e Punëve të Brendshme t’i lirojë policët e Kosovës, me besimin se nuk e dinin se kishin kaluar kufirin dhe në shenjë kujtimi të fatit të vëllezërve Bytyqi, të cilët kaluan kufirin duke ndihmuar romët për të kaluar në Serbi dhe që atëherë nuk u panë më të gjallë”, shkroi Kandiç.

Trupat e Agron (23), Mehmet (21) dhe Ylli Bytyqi (25) janë gjetur më vonë në një bazë në lindje të Serbisë. Ata ishin gjetur mbi një varrezë masive që përmbante kufomat e 67 burrave dhe grave nga Kosova. Vëllezërit Bytyqi ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kandiç ka qenë një ndër njerëzit e rrallë në Beograd, që ka justifikuar ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 dhe këtë e ka thënë hapur. Ajo më pas ka mbështetur edhe pavarësinë e Kosovës, të shpallur në shkurt të vitit 2008, ndërsa ishte mysafirja e vetme nga Serbia në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë.

Ndryshe, tre zyrtarë kufitarë janë kidnapuar nga forcat serbe gjatë një patrullimi në vendin e quajtur Tresave/Bare, në vijën kufitare në veri të Kosovës. Megjithatë, autoritetet serbe pretendojnë se ata janë arrestuar nga njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe brenda territorit të Serbisë.

Nga ana tjetër, autoritetet e Kosovës kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë të rrëmbyer nga policia serbe të mërkurën, reagimin e bashkësisë së organizuar ndërkombëtare lidhur me këtë rast dhe dënimin e Serbisë për agresionin e shfaqur.

Vendet partnere të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – nuk kanë reaguar akoma lidhur me këtë akt, i cili nga autoritet e Kosovës është cilësuar si cenim i rëndë i sovranitetit dhe tregues i qartë se shteti serb dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve.

Arrestimi i tre policëve kosovarë nga njësitet elitare të Policisë së Serbisë në vijën kufitare me Kosovën, ndodhi pikërish në një periudhë tensionesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës të banuar serbë etnikë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore