Sport

Kamerun: Ndeshja e futbollit luhet edhe pas vdekjes së 6 personave


Të paktën gjashtë persona raportohen të kenë vdekur si pasojë e shtypjeve nga rrëmuja para një ndeshjeje futbolli në Kamerun.

Kameruni po mirëpret Kupën e Afrikës për herë të parë pas 50 vitesh.

Naseri Paul Biya, guvernatori i rajonit qendror të Kamerun-it, tha për Associated Press se shifrat e fataliteteve mund të rriten akoma.

“Ne nuk jemi në gjendje t’ju japim numrin total të viktimave”, tha ai.

Përplasja ndodhi ndërsa turmat përpiqeshin të hynin në stadiumin Olembe në kryeqytetin Yaounde.

Kameruni luante me Komoret në një ndeshje të raundit 16-ve me eliminim direkt në Kupën e Kombeve Afrikane.

Zyrtarët në spitalin e afërt Messassi thanë se kanë hospitalizuar të paktën 40 persona të plagosur.

Dëshmitarët thanë se fëmijë ishin në mesin e atyre që u përfshi nga rrëmuja.

Shkak, sipas tyre, ishte mbyllja e portave nga ana e stjuardëve të stadiumit.

Nuk ishte menjëherë e qartë nëse përplasja ndodhi para ose gjatë lojës.

Zyrtarët e futbollit thanë se rreth 50 mijë njerëz ishin përpjekur të ndiqnin ndeshjen.

Stadiumi ka një kapacitet prej 60 mijë personash por nuk ishte menduar të ishte më shumë se 80% i mbushur.

Kjo, për shkak të kufizimeve nga COVID-19.

Konfederata e Futbollit Afrikan, e cila drejton Kupën e Afrikës, tha në një deklaratë se ishte në dijeni të incidentit.

“CAF aktualisht po heton situatën dhe po përpiqet të marrë më shumë detaje mbi atë që ndodhi. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me qeverinë e Kamerunit dhe Komitetin Organizativ Lokal”, nënvizonte reagimi i institucionit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore