Lajme

Kamberi kërkon nga Bislimi dhe Nagavci prezencë të Kosovës në Luginë


Takimi i Shaip Kamberit me Besnik Bislimin dhe Arbërie Nagavci.

Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, gjatë takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci ka diskutuar rrjedhën e politikës së përgjithshme në Luginë të Preshevës.

Përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, Kamberi ka bërë të ditur se kanë diskutuar për angazhimin e Kosovës në dialogun me Serbinë për më shumë të drejta për shqiptarët.

“Biseduam për rrjedhat e përgjithshme politike në Luginë të Preshevës e rajon, nevojën e prezencës më të madhe të Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës me projekte konkrete, nevojat e qytetarëve të Luginës në Kosovë e sidomos për angazhim më të madh të përfshirjes të të drejtave të shqiptarëve në dialog me Serbinë duke aplikuar parimin e reciprocitetit”, ka  shkruar Kamberi.

Ndërsa, kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, nuk do të takohet me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministren e Arsimit Arbërie Nagavci, të cilët janë duke vizituar Luginën e Preshevës.

Arifi këtë e ka bërë të ditur në një përgjigje me shkrim për Albanian Post.

“Jo nuk do te takohem me ta. Kjo për arsyeje si shenjë proteste që kanë anashkaluar komunën e Preshevës. Agjendën e kamë parë online, por në këtë takim (me krerët politikë) nuk do të marrë pjesë”, ka thënë ai për Albanian Post.

Sipas tij, injorimi ndaj kësaj komune është tepruar nga Qeveria e Kosovës.

“Siç e thash injorimin që ja kanë bërë Preshevës është i tepërt dhe politik nga Lëvizja Vetëvendosje, të cilës ne nuk do t’i nënshtrohem”.

Mllefi i Arifit, ndaj Qeverisë Kurti është shfaqur prej kohësh kur një zotim i ekzekutivit të Kosovës për Preshevën për ndarjen e dy milionë eurove nga buxheti i Kosovës nuk është realizuar asnjëherë deri më tani.

Një “reciprocitet” vizitash po ndodhë këtë të hënë, kur kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç po viziton Kosovën dhe Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, janë shkuar në Luginë të Preshevës.

Kryetari i Preshevës për Albanian Post: S’takohem me Bislimin e Nagavcin, e kanë injoruar Preshevën qëllimisht

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore