Lajme

Kabineti i Konjufcës për produktet serbe: Është marrëveshje nga legjislaturat e kaluara


Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Shefi i Kabinetit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli ka reaguar pas kërkesës së deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha lidhur me largimin e produkteve serbe që shërbehen në bufenë e Kuvendit.

Kërçeli ka deklaruar se kanë kërkuar që këto produkte të mos shërbehen më në Kuvendin e Kosovës, mirëpo bëri të ditur se kjo marrëveshje është bërë në legjislaturat e kaluara.

“Këtë marrëveshje apo kontratë, kjo legjislaturë e re, e ka gjetur në Kuvendin e Kosovës (d.m.th këto shërbime ofrohen para ardhjes së kryeparlamentarit Konjufca)”, ka shkruar Kërçeli në Facebook.

Ai ka thënë se ky operator privat ka një marrëveshje prej tash e 15 vitesh me kuvendin e Kosovës.

“Kuvendi i Kosovës ka privatizuar shërbimet e bufesë, duke ja ofruar një operatori privat, ky operator privat, ka marrëveshje me Kuvendin tash e mbi 15 vite”.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha.

Tutje, Kërçeli ka sqaruar se si pasojë e shërbimeve jo profesionale, ka njoftuar operatorin se i shkëputet kontrata.

“Të gjitha këto veprime janë bërë shumë kohë para përformancës së sotshme të deputetit Bekë Berisha”.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha i ka kërkuar kryeparlamanetarit, Glauk Konjufca që produktet serbe të cilat shërbehen në bufenë e Kuvendit të largohen.

Berisha në seancën e të premtes një pije, pra produkt serb ia vendosi Konjufcës tek ulësja.

Po ashtu këtë produkt serb ai e vendosi edhe tek ulësja e kryeministrit, Albin Kurti.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar më 4 shtator në Uashington, nga Aleanca Kosovare e Biznesit është konsiderua që do të eliminojë të gjitha barrierat tregtare që Serbia i ka bërë Kosovës, por që kjo sipas njohësve të fushës ekonomike nuk është duke ndodhur, ndërsa dialogu në Bruksel rinisi në korrik të vitit 2020.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore