Lajme

Përsëri fushatë për bojkotim të produkteve serbe në Kosovë


Ilustrim.

Produktet e prodhuara në Serbi janë rikthyer në tregun e Kosovës, që kur Qeveria Hoti kishte zëvendësuar taksën 100 për qind për produktet serbe, me masat reciproke më 1 prill të vitit të kaluar, por asnjëherë nuk u kthyen në masën në të cilën ishin prezentë më herët.

U krijua një përshtypje se importi nga Serbia ka rënë edhe më shumë në këtë kohë, pasi që u bllokuan dy pika kufitare në Jarinje e Bërnjak, për shkak të problemit me targat, por siç tregon edhe Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, këto dy vende nuk kanë qenë asnjëherë pika ku ka pasur sasi të madhe mallrash nga Serbia për në Kosovë.

“Jarinja dhe Bërnjaku nuk kanë qenë pikat në të cilat ka pasur ndonjë import ose fluks të importit komercial të madh. Në periudhat më herët kemi pasur import më të madh sesa që kemi vitet e fundit. Mund të them që ka filluar të bie importi i produkteve të Serbisë”, deklaroi Stavileci.

 

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës.

Produktet ‘Made in Kosova’, nuk konsumohen nga serbët

Burim Piraj, pronar i një kompanie private në Kosovë, thotë për Albanian Post se për mos blerjen e produkteve serbe ka filluar një fushatë.

“Fushata është fillimisht virtuale dhe ka për qëllim të tuboj sa më shumë bashkëmendimtarë, më pas do të krijojmë grup punues dhe do të shpërndajmë nismën tonë në gjithë Kosovën dhe Shqipërinë. Ne kemi kërkesë nga Qeveria jonë, sidomos ministria e Arsimit që një orë mësimore në fillim të çdo muaji t’i kushtohet vetëdijesimit të nxënësve dhe studentëve për mos blerjen e prodhimeve serbe”, deklaron Piraj.

Përveç barrierave që Serbia i vendos produkteve nga Kosova, problemi qëndron se produktet e Kosovës nuk preferohen nga konsumatorët në Serbi.

“Ne para disa kohe kemi pas të interesuar për prodhime të firmës sime për eksport në Serbi, por autoritetet e Serbisë e kanë kthyer kamionin prapë nga kufiri, nga ana tjetër askush nga institucionet tona më nuk është interesuar për këtë kthim të mallit, gjë që do të duhej të interesoheshin dhe ta ngrisin çështjen edhe në nivel ndërkombëtar”.

Burim Piraj, pronar i një kompanie private në Kosovë

Ai për blerjen e produkteve të Serbisë po i lë fajtorë edhe institucionet.

“Serbia një kohë të gjatë ka investuar në marketing dhe në qarqe të ndryshme në Kosovë për të promovuar prodhimet e vetë, aq të pavëmendshme kanë qenë institucionet e tona sa që kanë lejua që nëpërmes Odës Ekonomike të Kosovës të promovohen prodhimet serbe deri në atë masë sa që gjysmën e Panairit të Prishtinës e patën ndarë ekskluzivisht për prodhimet e Serbisë”.

Për këtë Piraj shprehet se Serbia ka përdor një strategji mjaftë të mirë.

“Serbia ka përdorë një taktikë shumë të përsosur sa i përket Kosovës, shumë prodhime në Serbi duke filluar nga materiali ndërtimor, qumështi dhe ushqimet e tjera janë subvencionuar për tu shitur në Kosovë”.

Tregu i Kosovës i përballur shumëherë nga bllokada e Serbisë

Ndërsa, ekonomisti Nagip Skenderi, në një përgjigje për Albanian Post tha se produktet e Serbisë duhet shmangur sa më tepër që është e mundur nga tregu i Kosovës.

“Produktet serbe duhet shmangur sa më tepër që është e mundur nga tregu i Kosovës, dhe orientimi i bizneseve për importe të mallrave të bëhet kryesisht drejt tregjeve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, por duke hequr paraprakisht të gjitha barrierat doganore dhe fiskale, në mënyrë që çmimet të jenë konkurruese me mallrat që importohen nga Serbia”, deklaron Skenderi.

Madje, vetë ai pohon se Kosova është përballur shumëherë me bllokadën serbe drejt tregut të Kosovës.

Produktet serbe në Kosovë.

“Produktet serbe nuk shkaktojnë asnjë mungese në furnizimin e konsumatorëve me këto produkte dhe mallra te konsumit personal e familjar në Kosovë. Sepse, ne kemi provuar disa herë bllokadën serbe drejt tregut të shtetit të Kosovës, sidomos në kohën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, kur Serbia pretendonte se Kosova mund të bankrotoj pa produktet serbe”.

Skenderi, thotë se Kosova tani nuk ka nevojë që të vazhdoj të furnizohet me produkte të Serbisë.

“Sot kemi ekonominë e tregut të hapur, dhe eksportet e importet ‘sa çelë e mshelë sytë’ mund të zëvendësohen nga të gjitha tregjet e mundshme. Dhe, as Serbia, e as shtetet e tjera nuk mund të largohen nga tregjet ekzistuese që ato kanë, sepse shmangia nga një treg vështirëson në masë të konsiderueshme kthimin e serishëm në atë treg”.

Marrëveshja e Uashingtonit do të normalizonte marrëdhëniet ekonomike

Qeveria e Kosovës, në vitin 2018 e udhëhequr nga Ramush Haradinaj kishte vendosur taksë doganore prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Taksa më pas u pasua me reciprocitet. Por, pas zgjedhjes së kryeministrit Albin Kurti, taksa 100 për qind u hoq, pastaj edhe kryeministri që e pasoi Kurtin, Avdullah Hoti hoqi reciprocitetin, me qëllim që t’i jepej shans vazhdimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e nënshkruar më 4 shtator në Uashington, nga Aleanca Kosovare e Biznesit është konsiderua që do të eliminojë të gjitha barrierat tregtare që Serbia i ka bërë Kosovës, por që kjo sipas njohësve të fushës ekonomike nuk është duke ndodhur, ndërsa dialogu në Bruksel rinisi në korrik të vitit 2020.

Momenti i nënshkrimit të marrëveshjes në zyrën e ish-presidentit amerikan, Donald Trump

Kurse në vitin 2019, Serbia, për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind nga Qeveria e Kosovës kishte eksportuar mallra në vlerë afër 5 milionë euro, sipas Doganave të Kosovës, por, para vendosjes së kësaj takse në nëntor të vitit 2018, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë, në një vlerë prej rreth 400 milionë euro në vit.

Për të u eksportuar një produkt nga Kosova për në ndonjë shtet tjetër nevojitën, deklarata doganore e mallrave, fatura komerciale dhe certifikata e origjinës gjë që vështirëson në masë të madhe eksportin e mallrave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore