Lajme

Ka filluar intervistimi i policëve të Kosovës që ishin në takim me Vuçiç-in


Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

Më 21 mars, pesë eprorë të Policisë së Kosovës me detyrë në komunat në veri të Mitrovicës morën pjesë në takimin e thirrur nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të cilin u diskutua çështja e zgjedhjeve serbe që janë mbajtur më 3 prill.

Në një bisedë për Albanian Post, zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), Arbër Beka, ka thënë se ka filluar procesi i intervistimit ndaj tyre.

“Ka filluar procesi i intervistimit të tyre, edhe aktualisht jemi në këtë fazë. Në fillim do të intervistohen të gjithë dhe pas përfundimit do të dalim me një opinion edhe qëndrim për rastin e tyre”, ka thënë Beka për AP.

Tutje, ai ka sqaruar edhe formën e intervistimit se si do të bëhet ndaj eprorëve policorë.

“Do të intervistohen varësisht siç janë të caktuar me orar dhe kur përfundon intervistimi pastaj konsultohemi me prokuroren dhe varësisht në çfarë rangu kualifikohet atëherë veprojmë”.

Policia e Kosovës.

Më 25 mars, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), kishte konfirmuar për Albanian Post, se është duke shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim që ta pezullojë Liljana Stevanoviç, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë pas pjesëmarrjes së saj në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës”, thuhet në njoftim, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, KGJK kishte reaguar edhe gjatë të mërkurës pas raportimeve se Stevanoviç ka marrë pjesë në takim me Vuçiç-in.

“Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, si autoritet kompetent për të gjithë kryetarët e gjykatave, e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç, në takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciç”, thuhej në komunikatën e KGJK-së.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, i ka bërë thirrje KGJK-së të marrë masa ndaj pjesëmarrësve në takim me presidentin e Serbisë, pasi sipas saj “cenojnë integritetin profesional dhe moral të kryetarëve të gjykatave të Kosovës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore