Lajme

Pezullohet kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, mori pjesë në takim me Vuçiçin


Kryetarja e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka marrë vendim që ta pezullojë Liljana Stevanoviç, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë pas pjesëmarrjes së saj në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës”, thuhet në njoftim, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, KGJK kishte reaguar edhe gjatë të mërkurës pas raportimeve se Stevanoviç ka marrë pjesë në takim me Vuçiç-in.

“Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, si autoritet kompetent për të gjithë kryetarët e gjykatave, e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç, në takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciç”, thuhej në komunikatën e KGJK-së.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK)

Edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, i kishte bërë thirrje KGJK-së, që të ndërmarrë masa në raport me kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç.

Ndër të tjera, neni 7 i Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, përcaktohet që, nëse vërtetohet se gjyqtarët apo prokurorët kanë bërë shkelje disiplinore, ndaj tyre mund të shqiptohet disa masa disiplinore.

Të cilat janë,  “vërejtje jopublike me shkrim, vërejtje publike me shkrim, zvogëlim i përkohshëm i pagës deri në pesëdhjetë përqind (50%) për një periudhë deri në një (1) vit, transferim i përkohshëm ose i përhershëm në një gjykatë apo prokurori tjetër të nivelit më të ulët apo masa më e rëndë, propozim për shkarkim”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore