Lajme

IPK-ja nis procedurat ndaj eprorëve të Policisë së Kosovës që u takuan me Vuçiçin


Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), ka konfirmuar për Albanian Post, se është duke shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Lajmin për AP e ka konfirmuar zëdhënësi i IPK-s, Arbër Beka.

“Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe se në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me Presidentin e Serbisë”, ka thënë Beka.

Në këtë takim, thuhet se është diskutuar për vendimin e Qeverisë e Kosovës që të mos lejojë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Policia e Kosovës.

Edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), ka marrë vendim që ta pezullojë Liljana Stevanoviç, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë pas pjesëmarrjes së saj në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës”, thuhet në njoftim, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndryshe, KGJK kishte reaguar edhe gjatë të mërkurës pas raportimeve se Stevanoviç ka marrë pjesë në takim me Vuçiç-in.

“Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, si autoritet kompetent për të gjithë kryetarët e gjykatave, e ka njoftuar Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç, në takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuciç”, thuhej në komunikatën e KGJK-së.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media, i kishte bërë thirrje KGJK-së, që të ndërmarrë masa në raport me kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore