Lajme

Juristët për kritikat e Kurtit: Aktakuzat s’janë ese, e ka inatin me Blerim Isufajn


Teksa “ndezi alarmin” se po përgatiten sulme të reja ndaj Kosovës nga krimineli Milan Radojiçiç, i cili ishte në krye të një grupi paramilitar serb që vranë rreshterin Afrim Bunjaku më 24 shtator në Banjë të Zveçanit, kryeministri Albin Kurti, konferencën për media të 23 dhjetorit e ka shfrytëzuar edhe për ta kritikuar Prokurorinë, e cila, sipas tij, “është vonuar” për të ngritur aktakuzë.

Por, deklarimet e Kurtit nga juristët po cilësohet si “ndërhyrje në sistem e drejtësisë”, meqë sipas tyre të shkruash një aktakuzë, “nuk është njësoj sikur ta hartosh një ese”.

“Drejtësia e do kohën e saj. Të shkruash një aktakuzë, nuk është njësoj sikur ta shkruash një ese. Aktakuza ngritet kur përfundojnë hetimet, e për t’u kryer hetime të mirëfillta duhet kohë. Duhet të mblidhen prova materiale, të dëgjohen dëshmitarë, duhen ekzaminime forenzike dhe ekspertiza specifike”, thotë juristi Arbër Jashari për Albanian Post.

Përveç kësaj, Shala potencon se duhet të bëhet kujdes në respektimin e të drejtave të palëve në procedurë dhe insiston që më e rëndësishme se një aktakuzë e shpejtë, është një aktakuzë e hartuar konform dispozitave procedurale, e bazuar mirë dhe mbështetur në prova.

“Kodi i procedurës penale ka paraparë një afat dy vjeçar të hetimeve, afat ky i cili për shkaqe të cilat i ka paraparë ligji, me leje të gjykatës mund të zgjatet edhe për një vit. Në rastin konkret, prokuroria është brenda kohës se saj dhe nuk i takon kryeministrit të gjykojë punën e një organi të pavarur kushtetues”, ka shpjeguar ai.

Arber Jashari

Në anën tjetër, ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, mendon se kritikat e Kurtit për Prokurorinë Speciale kanë të bëjnë edhe “me inatin e tij” me kryeprokurorin e Speciales, Blerim Isufaj, të cilin e kishte akuzuar më herët se nuk e ka të fituar në gjykatë asnjë rast dhe i njëjti po dëshiron të bëhet Kryeprokuror i Shtetit.

“Për ngritjen e një aktakuze ka kohë 24 muaj. Sugjerimi im është që ta lënë të qetë prokurorinë dhe ajo ta kryej detyrën e vet sipas ligjit. Nuk ka çka përzihet as kryeministri as ministrja, Prokuroria është institucion i pavarur. Unë mendoj që inati i Kurtit është më shumë të rizgjedhja e Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale”, theksoi Shala për AP.

Për Shalën, kjo Qeveri dhe ky kryeministër për çdo ditë “po ndërhynë në sistemin e drejtësisë” por sipas tij, kjo është çështje vetëm e Prokurorisë, duke nënvizuar se “nëse vazhdojnë kështu kjo është ndërhyrje e hapur ndaj sistemit të drejtësisë”.

“Nuk konsideroj që është vonuar ngritja e aktakuzës për rastin e Banjës, në këtë rast është i përfshirë edhe shteti serb, duhet edhe ndihma e EULEX-it dhe KFOR-it, ajo mund të bëhet edhe për një ditë, por nuk është serioze. Duhet të kemi durim”, shtoi ish-gjyqtari.

Hasan Shala

Edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës përmes një komunikate për media i kishte reaguar kryeministrit Kurti.

Sipas KPK-së, Kurti po e keqpërdorë fjalën e lirë duke “linçuar” këtë institucion të pavarur. KPK-ja ndër të tjera, pati kërkuar që Kurti të qëndrojë larg institucioneve të sistemit prokurorial dhe të mos ndërhyjë në institucionet e pavarura.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kishte kritikuar Prokurorinë Speciale që sipas tij, përkundër fakteve të siguruara nga institucionet e sigurisë, nuk ngriti asnjë aktakuzë për sulmin në Banjë të Zveçanit dhe se për Krutin mos ngritja e asnjë aktakuze dhe as informimi mbi këtë çështje, është e pakuptueshme.

“Ka pa numër fakte, dëshmi, pra të mjaftueshme për të ngritur aktakuza, Ky vit ishte vit i sulmeve kriminale, ka shpërputhje midis informacionit, fakteve dhe aktakuzave në anën tjetër. Dhe, ky hendek nuk mund të mbushet nga Qeveria, i takon Prokurorisë, unë jam për të ndihmuar dhe ata për të punuar”, tha Kurti i cili shpjegoi se si Serbia nuk është zmbrapsur nga pretendimet territoriale ndaj Kosovës e po planifikon sulme të reja.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç, i cili ishte në krye të një grupi paramilitar serb që sulmoi Kosovën më 24 shtator, sipas Kurtit, po vazhdon përgatitje për sulme të reja në Kosovë.

Radojiçiç sulmet sipas Kurtit, po i përgatit në bashkëpunim me disa pjesëtarë të organizatë “Mbrojtja Civile”, e cila nga Qeveria e Kosovës u shpallë si grup terrorist muaj më parë.

Më 24 shtator, një grup terrorist serb sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku. Përgjegjësinë për këtë sulm, Kosova ia hodhi Serbisë, por ajo e mohoi. Radojiçiç tha se ai e ka organizuar sulmin dhe se për të nuk e ka njoftuar askënd. Në fillim të dhjetorit, me kërkesë të Kosovës, Organizata Ndërkombëtare e Policisë, INTERPOL, lëshoi fletarrestim për Radojiçiç-in.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore