Lajme

Jovanoviç: “Daçiç s’ka të drejtë as morale e as politike të kërkojë arrestimin e Çanakut”


Kryetari i Partisë Liberale Serbe, Çedomir Jovanoviç. (Foto: FoNet/ Ognjen Stevanovic)

Kryetari i Partisë Liberale Serbe, Çedomir Jovanoviç, i ka reaguar deklaratave të Kryetarit të Parlamentit të Serbisë, Ivica Daçiç, i cili i bëri thirrje shtetit serb “që të arrestojë Nenad Çanakun për nxitje të dhunës dhe konfliktit në Mal të Zi”, pasi ai mbështeti revoltën qytetare kundër fronësimit të Mitropolitit Joanikije në Manastirin e Shën Pjetrit të Cetinës, në Cetinë.

“Daçiç s’ka të drejtë as morale as politike që të thërret për arrestimin dhe përjashtimit e kryetarit të Lidhjes Social-demokrate të Vojvodinës”, tha Jovanoviç për të përditshmen Danas.

Kryetari i Partisë Liberale tha se dëshiron t’ia kujtojë Daçiç-it që arrestimi i Çanakut “nuk është brenda kompetencave të tij”.

“Mali i Zi është shtet i pavarur dhe ata vetë marrin vendime mbi atë se kujt i’a mohojnë mirëpritjen, e kujt i’a marrin lirinë e veprimit brenda kufijëve të tyre”, deklaroi ai.

Jovanoviç, tha se “pikërisht Daçiç dhe lloji i tij i politikanëve”, janë ata që “përzihen në punët e brendshme të shteteve të huaja”, kurse Çanak dhe politikanë të tjerë si ai që qëndrojnë për një Serbi qytetare “kurrë nuk i kanë ndryshuar botëkuptimet e tyre politike, e as aktivitetin”.

Kurse, sa i përket partisë së Daçiçit, por edhe “të politikanëve të sojit të tij”, Jovanoviç shprehet se “këta e kanë futur Serbinë në luftërat e përgjakshme të republikave të ish-Jugosllavisë, dhe e kanë humbur Kosovën, dhe për shkak të kësaj aty nuk ka më serbë që ta ata thonë se kanë mbrojtur serbët”.

Ndër të tjera, ai tha se Mali i Zi ka perspektivë evropiane, dhe është vend multi-etnik, dhe për një kohë të gjatë vendos vetë politikat e shtetëtore.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, akuzoi udhëheqësin e Lidhjes Social-demokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak, se ka shkuar në Cetinë në rastin e kurorëzimit të Mitropolitit Joanikije me “qëllimin e nxitjes së konfliktit dhe dhunës kundër Kishës Ortodokse Serbe”.

Ai tha se për këtë Çanak ka “marrur para” nga Presidenti I Malit të Zi, Millo Gjukanoviç.

“Aty ai s’ka shkuar si tifoz, por që të inkurajojë dhunë kundër Kishës Ortodokse Serbe. Çfarë mbështet ai, që Mitropoliti dhe Patriarkana duhet të ndalohen që të shkojnë në Manastirin e Cetinës?. Ai, sikurse Millo Gjukanoviç, mbijetojnë vetëm me incidente”, ka thënë Daçiç në Prva TV.

Kreu i Kuvendit të Serbisë ka vazhduar ofendimet e zakonshme ndaj Çanakut duke e quajtur “turp për popullin serb”.

Ai gjithashtu deklaroi se nuk u kërkoi autoriteteve serbe të arrestonin Çanakun, por autoritetet në Podgoricë, sepse, siç tha ai, do te ishte “shkatërrimi i rendit kushtetues të Malit të Zi”.

“Canak përbën rrezik për Malin e Zi. Çfarë kërkon ai atje? Ju mbani mend sa serbë u kthyen nga kufiri, dhe ai shkoi atje me synimin për të nxitur konflikte. Prandaj thash se do të ishte mirë që edhe ata ta fusin në listën e njerëzve që janë të padëshirueshëm në Mal të Zi ”, tha Kryetari i Kuvendit të Serbisë.

Ndërkaq Çanak dje deklaroi se kurorëzimi i Mitropolitit Joanikije në Manastirin e Shën Pjetrit të Cetinës, ishte turp i turpit, dhe e mbështeti revoltën qytetare ndaj kësaj ndodhie.

Ndërsa për akuzat e Daçiç, ai përgjigj se në fakt ai duhet të jetë ai që “duhet arrestuar”.

“Unë mendoj se Ivica Daçiç duhet të arrestohet kur të hyjë në Mal të Zi dhe të ndalohet hyrja sepse ai po përhap ideologjinë që e vendos Malin e Zi në një pozitë për ta bërë këtë të ndodhë. Unë nuk do të merrem fare me këtë. Personalisht, unë mendova se Ivica Daçiç duhet të ndalohet të merret me politikë në vitin 2000 në bazë të llotarisë dhe angazhimit të tij politik deri në vitin 2000. Megjithatë, kjo nuk u kuptua dhe ai njeri është marrë me politikë për 21 vjet pa pengesa”, komentoi Canak deklaratën e Daçiqit.

Ndërsa për ngjarjet e djeshme, Çanak, edhe u shpreh se veprimet e policisë ndaj protestusve dhe mbrojtja e dorës së parë që i bë metropolitit thjesht ishin të pabesueshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore