Lajme

Joseph “diskrediton” Grenellin: Në vend që të “zgjidhte” ngërçin e Kosovës, përfundoi në qorrsokakun e Serbisë


Edward Joseph

Edward Joseph, ligjërues universitar, njohës i rrethanave politike në rajon dhe analist i politikës së jashtme, diskreditoi ish-Emisarin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, i cili fajësoi administratën aktuale të SHBA-ve për ngecjen e dialogut Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian (BE).

Joseph, nëpërmjet një sërë postimesh në llogarinë e tij zyrtare në platformën “X”, shkroi se në vend që ish-diplomati amerikan që punoi personalisht në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kohën e presidentit amerikan, Donald Trump, të gjente një “zgjidhje” për ngërçin Kosovë-Serbi, diplomacia e tij “përfundoi në një tjetër qorrsokak të Beogradit.

“Grenell po rrotullon votuesit amerikanë dhe jo-amerikanët mbi Serbinë, Kosovën dhe rekordin e Trumpit në rajon. Në vend që të ‘zgjidhte’ ngecjen e Kosovës, diplomacia e Grenellit përfundoi në një tjetër qorrsokak të Beogradit”, ka shkruar profesori amerikan, derisa shtoi se asnjë marrëveshje e arritur nën Trumpin nuk e largoi Kosovën dhe Serbinë nga e kaluara.

Grenelli në vazhdimësi ka konsideruar se pas largimit të presidentit Trump nga Shtëpia e Bardhë, raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vetëm sa janë përkeqësuar, duke e paraqitur Marrëveshjen e Uashingtonit në Zyrën Ovale (4 shtator 2020), sikur diçka të paarritshme dhe që ka kontribuar përnjëmend në normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“Le të vijmë te thelbi: kritikat e Grenellit ndaj administratës së Bidenit për ndjekjen e ‘kërkesave të njëjta dhe pikave të dështuara’. Në fakt, presidenti Trump i ka shkruar të njëjtat kërkesa thelbësore, në letra drejtuar presidentit serb dhe kryeministrit të Kosovës në shkurt të vitit 2019”, shkroi Joseph, derisa ka përmendur edhe një fakt tjetër.

Presidenti Trump në vitin 2019 shkroi: “Ne besojmë se njohja reciproke duhet të jetë elementi qendror i normalizimit”. Prandaj, sipas profesorit amerikan, pretendimet e Grenellit për “kërkesa të njëjta dhe pika të dështuara” janë “qesharake” për shkak se kjo ishte pothuajse identike me atë që presidenti Biden i shkroi Vuçiçit në shkurt të vitit 2021.

“Ndryshimi është se presidenti Biden, së bashku me BE-në, u përpoq të lëvizte në atë drejtim. Përfundim: Grenelli mendoi se mund të arrinte një zgjidhje përfundimtare midis Serbisë dhe Kosovës – por ai nuk mundi, edhe pse e rrëzoi [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurti”, shkroi Joseph, duke iu referuar përplasjeve që kishin pasur Kurti e Grenell në vitin 2020.

Në Kosovë ishte krijuar përshtypja se Grenelli kishte të bënte me rrëzimin e qeverisë Kurti 1 dhe se ai ka qenë në listën e lobuesve amerikanë për Serbinë. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nënshkroi një dekret në bazë të të cilit e dekoroi ish-emisarin special me “Urdhrin e Flamurit të Serbisë”, hera e parë që një amerikan nderohet me medalje presidenciale serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore