Sport

John Terry largohet nga Aston Villa


Ish-futbollisti i skuadrës së Chelsea-t dhe kombëtares angleze, John Terry, është larguar nga klubi i Aston Villa-s, ku ishte në rolin e ndihmësit të trajnerit të parë, Dean Smith për tri sezonet e fundit.

Në vitin 2018, Terry kaloi te Aston Villa si asistent i trajnerit Smith, me të cilin ndihmuan klubin që të rikthehej në elitën e futbollit anglez.

Tani 40-vjeçari po përgatitet të bëjë një hap të rëndësishëm në karrierën e tij, pasi siç shpjegon në një prononcim për media, është i gatshëm të marrë drejtimin e ndonjë skuadre të rëndësishme.

“Ka qenë një nder i jashtëzakonshëm që kalova këto tre vitet e fundit në Aston Villa, por unë mendoj se tani është koha e duhur për të marrë vendimin jashtëzakonisht të vështirë për të lëvizur përpara”, ka thënë mes tjerash John Terry.

Edhe trajneri i Aston Villa-s, Dean Smith, tha fjalë të mira për Terry-n, teksa potencoi që do ti mungojë në projektet e tij.

“Ndihem keq për humbjen e Johnit si pjesë të stafit tim, por e kuptoj plotësisht vendimin e tij. Nuk kam asnjë dyshim se do të bëhet një trajner i madh në të ardhmen”, tha Smith.

Kujtojmë që Terry gjatë kohës sa ishte futbollist, kaloi sezonin 2017-18 te skuadra e Aston Villa-s, me të cilët zhvilloi 36 takime.

Ndërsa, qendërmbrojtësi anglez, shumicën e karrierës së tij e ka zhvilluar me skuadrën e Chelsea-t, me të cilët kaloi plot 19 sezone, duke zhvilluar 717 takime, prej të cilave realizoi 67 gola.

Terry gjithashtu ka zhvilluar 78 takime me kombëtaren angleze, me të cilët realizoi gjashtë gola.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore