Lajme

Jeremiç: Partia Popullore është e vetmja me program konkret që Serbia ta ruajë Kosovën


Vuk Jeremiç

Kryetari i Partisë Popullore Serbe, Vuk Jeremiç, ka thënë se kjo parti është e vetmja që ofron jo vetëm slogane në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen më 17 dhjetor, “por edhe një program konkret me hapa të qartë që Serbia ta ruajë Kosovën në përbërjen e saj, të mbrojë interesat dhe sovranitetin kombëtar dhe të mos bëhet koloni”, si dhe të jetë një shtet “neutral ushtarak dhe politik”.

“Ne po garojmë në zgjedhje të pavarur dhe po i ofrojmë popullit një program, pikat kryesore të të cilit janë refuzimi i planit franko-gjerman për pavarësinë e Kosovës dhe në të njëjtën kohë ripërcaktimi i marrëdhënieve me BE-në, ndalimi i minierave të litiumit, kthimi i sovranitetit financiar dhe ndihma shtetërore për ekonominë e brendshme dhe bujqësinë”, ka thënë Jeremiç në një intervistë për median ruse në Serbi “RuSrbija”.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 17 dhjetorit, të cilat u shpallën nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç, Jeremiç do të jetë bartës i listës së Partisë Popullore, teksa një pjesë të madhe të fushatës së tij është duke e zhvilluar kundër planit franko-gjerman, tanimë i pranuar nga Kosova dhe Serbia.

“Partia Popullore ofron hapa konkretë, në ndryshim nga partitë e tjera që në nivel parullash po mbrojnë rrëzimin e planit franko-gjerman. Serbia nuk do të bëhej anëtare e BE-së edhe sikur ta njihte Kosovën, prandaj është i vetmi anëtarësim realist në Zonën Ekonomike Evropiane, që nuk kërkon njohjen e Kosovës”, ka theksuar ai.

Ish-kryediplomati serb ka shtuar se “Serbia nuk mund të jetë i vetmi vend në botë që do të shërbejë si eksperiment në nxjerrjen e litiumit ku jetojnë njerëzit, sepse sot nuk ka teknologji të nxjerrjes së atij metali që nuk e shkatërron përgjithmonë mjedisin”.

Sipas tij, Serbia duhet të jetë “ushtarakisht neutrale” në raport me konfliktet e fuqive të mëdha në shekullin XXI (21), derisa ka shtuar se “neutraliteti i qëndrueshëm ushtarak nënkupton futjen e shërbimit modern ushtarak”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore