Lajme

Jeremiç: Kosova do të pranohet në Këshillin e Evropës në bazë të marrëveshjes franko-gjermane


Vuk Jeremiç

Kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiç, është shprehur këtë të shtune se “proceduara e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës do të nisë të hënën”, e kjo sipas tij bazuar në marrëveshjen bazë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar fillimisht në Bruksel dhe e përforcuar me aneksin e saj në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

“Zbatimi i mëtutjeshëm i atij plani duhet të ndalet, para se të shkaktohet dëm i pariparueshëm për interesat kombëtare të Serbisë dhe para se Kosova të bëhet anëtare e OKB-së dhe e vetmja mënyrë për ta ndalur këtë është referendumi për refuzimin e marrëveshjes franko-gjermane”, tha. Jeremiç.

Ai shtoi se në takimin e të hënës në Strasburg ku do të mbahet takimi i Komitetit të Ministrave të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, “do të shqyrtohet pranimi i Kosovës në atë organizatë”.

“Aty votohet me dy të tretat dhe Kosova padyshim e ka atë shumicë, por e ka që nga viti 2011, kështu që procedura nuk ka filluar asnjëherë deri më tani. Me shumë mundësi do të jetë të hënën, në bazë të dokumentit ku thuhet qartë se bazohet në marrëveshjen e Brukselit dhe Ohrit”, tha ai.

Ndërkaq, ish-kryediplomati serb vazhdoi fushatën e tij që për marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të mbahet një referendum në Serbi, e këtë ai e sheh si rrugën e vetme për ta ndaluar zbatimin e kësaj marrëveshje, për të cilën thotë që “është e dëmshme për Serbinë”, madje ai shprehet i bindur se nëse mbahet referendumi “80 përqind e serbëve do të votonin kundër”.

“Është gjithnjë e më e qartë se zbatimi i marrëveshjes franko-gjermane është në të vërtetë pranimi i pavarësisë së Kosovës”, tha Jeremiç.

Ndryshe, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të diskutohet në seancën e radhës së Këshillit të Ministrave e planifikuar të mbahet me 24 prill.

Kështu të paktën konfirmon drafti i rendit të ditës i publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Evropës.

Agjenda e takimit të Këshillit të Ministrave të 24 prillit, në mesin e disa pikave, në pikën 2.4 parasheh edhe diskutimin për “aplikimin për anëtarësim”.

Konfirmohet: Anëtarësimi i Kosovës në KiE diskutohet më 24 prill

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore