Shqipëria

Iu sekuestrua pasuria, Gjykata e Lartë nuk pranon rekursin e ish-ministrit Koka


Gjykata e Lartë e Tiranës, nuk e ka pranuar rekursin e paraqitur nga ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka – i arrestuar për çështjen e inceneratorëve – kundër vendimit të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Apeli i GJKKO-së ka vendosur sekuestron mbi pasurinë e Kokës. Konkretisht edhe kjo Gjykatë e ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit përsa i përket pasurisë së tij.

Gjithashtu Gjykata e Lartë më 4 prill ka rrëzuar edhe kërkesën e tij për heqjen e masës së sigurisë “arrest me burg” – e dhënë nga GJKKO-ja.

Ndërkohë Apeli i GJKKO-së ka caktuar datën 17 maj për ankimimin e Kokës për masë më të lehtë sigurie.

Kujtojmë që, përveç Kokës, më 31 mars u arrestua edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dhe funksionarë të tjerë.

Ndërkohë, në kërkim ndërkombëtar janë shpallur biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Pas dorëzimit të mandatit të deputetit Bllako u arrestua dhe u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”.

Alqi Bllako
Arrestimi i Kokës

Koka, ishte i pari, që u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 14 dhjetor, për korrupsion dhe shpërdorim detyre për inceneratorët.

Ishte GJKKO-ja, e cila më 16 dhjetor vendosi masën e sigurisë “arrest me burg’”. Në dëshminë e tij, gjatë seancës, ish-ministri theksoi se “nuk e kam shkelur ligjin”.

Arrestimi ka ardhur, pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim për çështjen e inceneratorëve.

Akuza e LSI-së lidhej me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Gjashtë ishin arsyet e aktit të ndërmarrë nga LSI-ja.

E para lidhet me emërtimin e procedurës.

Sipas kryetares së kësaj partie, Monika Kryemadhi, ajo është publikuar si “Tender Kombëtar”, kur realisht duhej të ishte “Tender i hapur ndërkombëtar”.

Së dyti, sipas saj, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori.

Së treti, pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive, sipas pretendimeve nga LSI.

Arsyeja e katërt lidhej me afatin e zgjatur të punimeve. E pesta me publikimin e procedurës dhe e gjashta me zhvendosjen – e pretenduar e jashtëligjshme – e inceneratorit.

Kush është Lefter Koka?

Lefter Koka fitoi mandatin e deputetit më 25 prill në Qarkun e Durrësit.

Mirëpo, më 1 shtator, vetëm dhjetë ditë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit të ri, Koka dha dorëheqjen nga posti nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook.

Karriera e tij politike ka nisur që në fillimvitet 2000.

Ai ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës fillimisht, në mandatin 2003-2007.

Më pas, Koka, pjesë e LSI-së, do të bëhej ministër i Mjedisit në vitin 2013, në Qeverinë e parë të Edi Ramës, i cili bashkoi forcat me Ilir Metën, asokohe në një koalicion të gjerë parlamentar.

Në shtator 2017, Koka do të merrte postin e deputetit nën siglën e LSI-së, por këtë herë do të qëndronte në opozitë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, pasi nuk pranoi të digjte mandatin e tij me vendim partie në vitin 2019 – duke qëndruar kështu në Parlament – Koka iu bashkua socialistëve, ku mori edhe votat për të qenë pjesë e Parlamentit si deputet i Qarkut Durrës.

Lefter Koka është një person, i cili i është afruar politikës nga bota e biznesit, duke zhvilluar një karrierë të shtrirë në dy dekada.

 

Lajmi në përditësim….

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore