Shqipëria

GJL-ja zbardh vendimin për mospranimin e rekursit nga Lefter Koka


Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin e plotë për refuzimin e rekursit të ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, i cili u arrestua me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsion në “aferën e inceneratorëve”.

Sipas saj, pretendimet nga Koka për provueshmërinë e akuzës ndaj kërkuesit, nuk i përkasin kësaj faze procedurale.

Në fazën e hetimeve paraprake në të cilën ndodhet çështja, gjykata e hetimeve paraprake ka arsyetuar në lidhje me masën e sigurimit të caktuar ndaj personit nën hetim.

Pretendimet e tjera, që i përkasin themelit të çështjes, do të gjykohen në një fazë të mëvonshme, gjatë shqyrtimit të çështjes në themel (nëse çështja penale do të avancojë deri në atë fazë).

Ndërsa, në lidhje me pretendimet për kushtet shëndetësore të rënduara të kërkuesit, që nuk përligjin vijueshmërinë e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, Kolegji vlerëson se këto pretendime janë shqyrtuar një herë dhe kanë marrë përgjigje të arsyetuar nga Gjykata e Apelit.

Gjatë shqyrtimit të rekursit në dhomën e këshillimit nuk konstatohet se ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural në vendimmarrjen e kësaj gjykate, vendimi i së cilës është rekursuar në Gjykatën e Lartë.

Avokati i Kokës kishte bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për vendimin e Apelit të GJKKO-së, duke kërkuar masë më të lehtë sigurie.

Përveç Kokës, janë arrestuar ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, dhe funksionarë të tjerë.

Ndërkohë, në kërkim ndërkombëtar janë shpallur biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja.

Kjo, pas skadimit të afatit 30-ditor për arrestimin e tyre.

Pas dorëzimit të mandatit të deputetit, Bllako u arrestua dhe u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”.

Arrestimi i Kokës

Koka ishte i pari që u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) më 14 dhjetor, për korrupsion dhe shpërdorim detyre për inceneratorët.

Ishte GJKKO-ja, e cila më 16 dhjetor vendosi masën e sigurisë “arrest me burg’”. Në dëshminë e tij, gjatë seancës, ish-ministri theksoi se “nuk e kam shkelur ligjin”.

Arrestimi ka ardhur, pasi u kallëzua penalisht nga Lëvizja Socialiste për Integrim për çështjen e inceneratorëve.

Akuza e LSI-së lidhej me pretendimet për shkelje në ndërtimin e inceneratorit të Fierit.

Gjashtë ishin arsyet e aktit të ndërmarrë nga LSI-ja.

E para lidhet me emërtimin e procedurës.

Sipas kryetares së kësaj partie, Monika Kryemadhi, ajo është publikuar si “Tender Kombëtar”, kur realisht duhej të ishte “Tender i hapur ndërkombëtar”.

Së dyti, sipas saj, ka ndryshuar vendi ku do të ndërtohej inceneratori.

Së treti, pas firmosjes së kontratës, ka ndryshuar një nga anëtarët e bashkimit të shoqërive, sipas pretendimeve nga LSI.

Arsyeja e katërt lidhej me afatin e zgjatur të punimeve. E pesta me publikimin e procedurës dhe e gjashta me zhvendosjen – e pretenduar e jashtëligjshme – e inceneratorit.

Kush është Lefter Koka?

Lefter Koka fitoi mandatin e deputetit më 25 prill në Qarkun e Durrësit.

Mirëpo, më 1 shtator 2021, vetëm dhjetë ditë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit të ri, Koka dha dorëheqjen nga posti nëpërmjet një statusi në median sociale Facebook.

Karriera e tij politike ka nisur qysh në fillimvitet 2000.

Ai ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës fillimisht, në mandatin 2003-2007.

Më pas, Koka, pjesë e LSI-së, do të bëhej ministër i Mjedisit në vitin 2013, në Qeverinë e parë të Edi Ramës, i cili bashkoi forcat me Ilir Metën, asokohe në një koalicion të gjerë parlamentar.

Në shtator 2017, Koka do të merrte postin e deputetit nën siglën e LSI-së, por këtë herë do të qëndronte në opozitë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, pasi nuk pranoi të digjte mandatin e tij me vendim partie në vitin 2019 – duke qëndruar kështu në Parlament – Koka iu bashkua socialistëve, ku mori edhe votat për të qenë pjesë e Parlamentit si deputet i Qarkut Durrës.

Lefter Koka është një person, i cili i është afruar politikës nga bota e biznesit, duke zhvilluar një karrierë të shtrirë në dy dekada.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore