Shqipëria

Policia e Shtetit shpall në kërkim ndërkombëtar Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan


Biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja janë shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit.

Kjo, pas skadimit të afatit 30-ditor për arrestimin e tyre.

Urdhër arrestet për ndalimin e tyre, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i lëshoi në muajin dhjetor.

Të dy biznesmenët përfshiheshin në pikën e tretë dhe të fundit të aktakuzës ndaj ish-ministrit të arrestuar, Lefter Koka.

Ky i fundit ishte lidhur me dy kompanitë e biznesmenëve, që ishin pjesë e tenderimit.

Sipas njoftimit, Koka kishte kërkuar dhe më pas kishte pranuar nga dy shoqëritë tregtare, përfitime të parregullta financiare.

Për këtë ishte përdorur, sipas SPAK, një skemë fiktive për kryerjen e punimeve në shoqëritë konçensionare.

Ndaj kompanive sakaq, ka një sekuestro preventive të pasurive.

Një paralajmërim i kreut të SPAK, Arben Krajës, do të vinte më 4 gusht të vitit 2021, kur ai tha se “ka ardhur koha që të ndëshkohen personat e pandëshkueshëm”.

Lefter Koka

Të martën e 14 dhjetorit, ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, do të lëshohej një urdhër arresti.

Urdhër arresti i tij u firmos nga prokurori Klodian Braho dhe gjyqtari Erion Bani.

Sipas njoftimit të SPAK, hetimet kanë filluar pas dy kallëzimeve penale nga dy forca të mëdha politike në vend.

E para, lidhet me kallëzimin nga Partia Demokratike dhe i dyti, nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Këto kallëzime janë bërë fillimisht në vitin 2020 nga PD-ja, në lidhje me impiantet e përpunimit të mbetjeve.

Më pas, do të ishte LSI-ja, e cila më 21 tetor 2021, do të dërgonte në SPAK çështjen Koka.

Ky i fundit, ka qenë pjesë e socialistëve të qendrës gjatë kohës kur ka mbajtur postin e kreut të dikasterit të Mjedisit, në vitet 2013-2017, gjatë Qeverisë së parë Rama.

Objekti i hetimeve, lidhet me procedurat e kryera për “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore