Shqipëria

Alqi Bllako vetëdorëzohet në Policinë e Tiranës


Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako, është vetëdorëzuar në Policinë e Tiranës mesditën e 31 marsit për çështjen e inceneratorëve.

Një ditë më parë, Bllako dorëzoi në Kuvendin e Shqipërisë se heq dorë nga mandati i tij si deputet për t’u përballur me drejtësinë.

Më herët, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dorëzuar në GJKKO kërkesën për arrestimin e Bllakos.

Përmes një letre të dërguar kreut të SPAK-ut Arben Kraja, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deklaronte se rruga ligjore është e hapur që Bllako të arrestohet nga organet kompetente.

Kjo, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Zyrtarisht nga 30 marsi, Alqi Bllako nuk është më deputet i Parlamentit të Shqipërisë dhe, rrjedhimisht, nuk mund të gëzojë imunitet.

Bllako, në rolin e ish-sekretarit të Përgjithshëm të Mjedisit, dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, dyshohet se kanë falsifikuar dokumentin për llojin e tokës ku do të ndërtohej inceneratori i Fierit.

Ish-zyrtarët shqiptarë e kanë paraqitur sikur ndërtesa e inceneratorit do të bëhej në tokë truall.

SPAK ka provuar se ajo është ndërtuar në tokë arë, vlera e së cilës është më e lirë.

Ky falsifikim i ka sjellë buxhetit të shtetit një dëm prej rreth 14 milionë e 964 mijë e 900 lekësh.

Dorëheqja e Bllakos

Pasditen e 30 marsit, në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë, mbërriti kërkesa e Bllakos, me anë të së cilës ai hiqte dorë nga mandati i tij, pasi SPAK kërkoi autorizimin për arrestimin e tij për çështjen e inceneratorëve.

Në shkresën zyrtare nga Bllako theksohej se, “me vullnet të plotë dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i PS-së, referuar kërkesës së SPAK-ut drejtuar Kuvendit dhe urdhrit të Kryetares për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet”.

“Me bindjen e plotë se, në fund të këtij procesi, do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar”, vijonte shkresa nga Bllako.

Ai e mbyllte i prerë se vihet në dispozicion të plotë të drejtësisë, “duke gjykuar t’u hap rrugën e pakushtëzuar proceseve të organeve të drejtësisë”.
Kërkesa e SPAK-ut

“Për shtetasin Alqi Bllako, nisur nga fakti që është i zgjedhur deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, Prokuroria e Posaçme bazuar në parashikimet e nenit 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 288/1/2 të Kodit të Procedurës Penale, do t’i paraqesë kërkesë Kuvendit për dhënie të autorizimit për caktimin e masës sigurimit personal ‘arrest në burg’”, lexohet në deklaratën zyrtare për shtyp të SPAK-ut.

Në njoftimin e publikuar nga SPAK lidhur me nëntë urdhër arrestet, hetimet kanë zbuluar se Bllako, në rolin e ish-sekretarit të Përgjithshëm të Mjedisit, ka kryer veprime të kundërligjshme në lidhje me procedurat e shpronësimit të pronës, ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit.

Kjo, në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka – i arrestuari i pari për Inceneratorët.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar sakaq se Bllako ka favorizuar shoqërinë koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes “në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt” në shumën prej 14 milionë e 964 mijë e 900 lekësh.

SPAK ka caktuar masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për pasurinë në zotërim të shtetasit E. B., lloji i pasurisë “apartament”, me sipërfaqe 99.48 metër katror, me adresë Tiranë, me vlerë sipas kontratës shitblerjes në shumën 144 mijë e 246 euro, që përmbush vlerën ekuivalente të përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Alqi Bllako në shumën 14 milionë e 964 mijë e 900 lekësh.

Dëshmia

Bllako ka qenë dëshmitar i thirrur në Komisionin Hetimor lidhur me aferën e inceneratorëve.

Në fjalën e tij, ai theksonte se e kishte dhënë deklaratën e tij për rreth pesë orë në SPAK.

Për këtë arsye, Bllako do të shprehej se nuk mund të dëshmonte në Komision, pasi do të ishte nxjerrje sekreti hetimor.

Në SPAK, ai do të pyetej për rolin e tij si ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit.

Kujtojmë që në këtë periudhë janë miratuar edhe lejet për inceneratorët.

Arrestimet

GJKKO-ja do të vendoste më herët caktimin e masës “arrest në burg” për shtatë persona.

Mes tyre gjendej dhe ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ndaj të cilit është vendosur një tjetër masë sigurie.

Koka dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Mes personave të tjerë të arrestuar janë edhe Pëllumb Abeshi, Azem Shatëri, Florjan Muçaj dhe Erjon Murataj.

Ndaj këtyre të fundit dyshohet kryerja e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

Ndërsa ndaj biznesmenit Klodian Zoto dhe Arenc Myrtezanit dyshohet kryerja e veprave penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

Ndërkaq, ndaj Sabina Cenamerit dhe Etleva Kondit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Ato dyshohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore