Shqipëria

Itali/ Stisën rrëmbimin e biznesmenit italian, në pranga dy shqiptarë


Policia italiane ka arrestuar tre persona, nën akuzën e një rrëmbimi të stisur të një biznesmeni nga qyteti verior i Breschia-s. Një grupi të lidhur me Al-Qaeda-n, iu shit ky biznesmen dhe u mbajt peng në Siri nga viti 2016 derë në 2019-ën.

Nga tre të arrestuarit, dy prej tyre janë shqiptarë. Bëhet fjalë për Fredi Frrokaj, 42 vjeç, dhe Olsi Mitraj, 41 vjeç. Bashkëpunëtor i tyre, ishte një italian, Alberto Zanotti.

Biznesmeni Alessandro Sandrini, supozohet se ka pranuar të stisë rrëmbimin nga tre të akuzuarit. Kjo, për të marrë shumën e rimbursimit për gjetjen e tij. “Por, pasi ai u mor në Turqi, më pas u shit tek grupi terrorist”, sipas policisë italiane.

Treshja e grabitësve është akuzuar për “pengmarrje me qëllim ushtrimin e terrorit”. Biznesmeni ndërkohë, është nën akuzë për “simulim të krimit dhe mashtrim”.

Dy shqiptarët dhe italiani vepruan edhe me individë të tjerë të pa identifikuar në Itali, Turqi dhe Siri. Biznesmenë të tjerë mund të kenë qenë të përfshirë në stisjen e pengmarrjeve. Të gjitha këto të dhëna, sipas autoriteteve italiane.

Ish e fejuara e biznesmenit Sandrini, ka pohuar për policinë se “i ishin premtuar 100 mijë euro për të mbajtur lojën”. “Përpara se të nisej për në Turqi, më premtoi se sapo të kthehej do të më jepte 100 mijë euro. Kushti ishte që unë dhe familja e tij të mbanim lojën”, tha ajo.

Roli kryesor gjithsesi, i atribuohet Fredi Frrokajt, sipas burimeve policore.

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore